Telenews

RUSIA PARALAJMËRON PERËNDIMIN PËR ”DESTABILIZIMIN” E BOSNJËS

Ambasada ruse në Sarajevë të mërkurën paralajmëroi se qëndrimi i Perëndimit mund të shkaktojë “destabilizim” në Bosnje e Hercegovinë, një ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi një ligj separatist etnik serb.
Reagimi i Moskës pasqyron tensionet në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, i ndarë tradicionalisht midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe ku Rusia kërkon të zgjerojë ndikimin e saj.
Frika se këto tensione do të përshkallëzoheshin janë rritur që kur Kremlini pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit.
I dërguari më i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, i cili mbështetet nga Perëndimi, por nuk njihet nga Moska, pezulloi të martën ligjin e diskutueshëm, që shihet si përpjekje e autoriteteve të entitetit të Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore në territorin e tyre.
Që nga lufta e viteve 1992-1995, Bosnja përbëhet nga dy gjysma gjysmë të pavarura: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Sërpska e Serbëve.
Ata ndajnë institucionet qendrore, derisa secila ka qeverinë e vet.
Sipas ligjit të diskutueshëm, i cili do të hynte në fuqi të enjten, entiteti serb i Bosnjës do të merrte në pronësi pronën e shtetit.
Ambasada ruse në Sarajevë e cilësoi lëvizjen e Schmidt si “të paligjshme” dhe bëri thirrje për anulimin e tij nga bordi drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes, organ ndërkombëtar që ende mbikëqyr procesin e paqes në Bosnje e Hercegovinë.
“E gjithë përgjegjësia për një destabilizim të mundshëm në Bosnje dhe Hercegovinë do të bjerë mbi përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë.
Përveç Rusisë, anëtarë të bordit janë Franca, Italia, Japonia, Kanadaja, Gjermania, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e përfaqësuar nga Turqia.
Rusia nuk e njeh legjitimitetin e Schmidt, duke argumentuar se emërimi i tij duhet të ishte miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Udhëheqësit perëndimorë kujdesen edhe për sigurinë e Ballkanit

Serbët e Bosnjës në dhjetor nisën një proces tërheqjeje nga ushtria e përbashkët e vendit, nga gjyqësori dhe sistemi i taksave.
Ajo ngjalli frikën se vendi mund të shpërbëhej apo edhe të fillonte një konflikt i ri. /RadioEvropaeLirë/

Të ngajshme

Dy mungesa të mëdha për Guardiolan kundër Arsenalit

Donat Hashani

Përfundon marrja në pyetje e ambasadorit Berishaj në Prokurorinë Speciale, deklarohet avokati Gashi

Donat Hashani

IKShPK: Regjistrohen 8 raste të Kollës së mirë në Kosovë

Hafize Elshani