Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hatmane Sada, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën aktuale ekonomike dhe energjetike në vend, duke vënë theksin te pasojat që kjo gjendje po ua shkakton fermerëve dhe vreshtarëve.
Ajo ka theksuar se reduktimet e energjisë elektrike në mes të dimrit, të kombinuara me mos-ekzekutimin e subvencioneve për vitin 2025, po e vështirësojnë ndjeshëm funksionimin e sektorit bujqësor. Sipas Sadës, ekzistojnë informacione se këto subvencione mund të vonohen deri në vitin 2026, gjë që do të krijonte presion të drejtpërdrejtë financiar mbi fermerët dhe zinxhirin furnizues.
Sada ka kritikuar mungesën e reagimit institucional, duke vlerësuar se shteti ka mekanizma emergjentë për të mbështetur sektorët prodhues në situata të jashtëzakonshme, por sipas saj, këta mekanizma nuk po aktivizohen.
Në këtë kontekst, ajo ka bërë thirrje për reagim publik të kandidatëve për deputetë të zonës së Anadrinit, përfshirë edhe ata nga radhët e Vetëvendosjes, si dhe për një qëndrim të qartë nga shoqatat e fermerëve dhe vreshtarëve. Po ashtu, Sada ka kërkuar organizimin e protestave nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë për këtë çështje.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje kompanive private të mos ushtrojnë presion ndaj fermerëve, duke theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale, sipas saj, bie mbi qeverinë.

