Pas rikthimit te FC Basel në verën e kaluar, Xherdan Shaqiri e mbajti premtimin për të luftuar për trofe – dhe ia doli, shkruan Gazeta Sinjali.
Me ndikim të madh në fushë dhe jashtë saj, ai e udhëhoqi Baselin drejt titullit të 21-të në elitën e futbollit zviceran, i pari që nga viti 2017, dhe më pas drejt triumfit të 14-të në Kupën e Zvicrës, pas një pritjeje gjashtëvjeçare.
Me 21 gola dhe 22 asistime në 39 paraqitje, Shaqiri pati një sezon të jashtëzakonshëm, duke fituar çmime individuale dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i klubit. Ai ka ringjallur karrierën e tij në Evropë pas aventurës në SHBA, duke e rikthyer formën e dikurshme me skuadrën ku nisi gjithçka.
Baseli tani synon edhe më lart. Kampioni zviceran do të luajë në gusht në plejofin për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Dhe për Shaqirin, ky është qëllimi madhor.
“Mendoj se e kemi një shans, pavarësisht se kundër kujt do të luajmë. Do të përpiqemi të hyjmë në Ligën e Kampionëve. Do të ishte ëndërr për mua të luaja sërish në këtë garë me Baselin”, tha ai për “Blick”.
Skuadra tashmë ka nisur përgatitjet në Austri nën drejtimin e trajnerit të ri, Ludovic Magnin, pas largimit të Fabio Celestinit. Me një grup të rifreskuar dhe atmosferë pozitive, Baseli dhe Shaqiri po synojnë rikthimin në elitën evropiane.