Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë qasjen e tyre strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor, duke sinjalizuar një politikë më të fokusuar te stabiliteti, interesat ekonomike amerikane dhe lufta kundër krimit të organizuar transnacional, ndërsa theksi te ndërhyrjet e jashtme dhe ndërtimi i institucioneve po zbehet.
Në dëshminë e tij të shkruar para Nënkomitetit për Evropën të Kongresit amerikan, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, ka bërë të ditur se Uashingtoni nuk do të ofrojë më “mjete të pakufizuara për qëllime të papërcaktuara”.
Sipas dokumentit, SHBA-ja u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit që të tejkalojnë mosmarrëveshjet e vjetra dhe të gjejnë vetë zgjidhje pragmatike për problemet e rajonit.
Politika amerikane do të mbështetet në tri prioritete kryesore: ruajtjen e stabilitetit, zgjerimin e interesave ekonomike të SHBA-së dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional që paraqet kërcënim për sigurinë amerikane, njofton Klankosova.tv.
Kosovë: Mbështetje për pavarësinë, por kritika për ngërçin institucional
Sa i përket Kosovës, Uashingtoni ka rikonfirmuar mbështetjen për pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit, por njëkohësisht ka shprehur shqetësim për ngadalësimin e proceseve institucionale.
Sipas Lawton, agjenda e përbashkët është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, qeveritë në detyrë dhe vonesat në krijimin e institucioneve.
Në dëshmi ngrihen gjithashtu shqetësime për atë që përshkruhet si “shqyrtim i tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”. Uashingtoni kërkon që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta, duke e konsideruar këtë të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit.
Ndërkohë, prania e KFOR-it mbetet një element i rëndësishëm i sigurisë në Kosovë, ndërsa SHBA-ja pritet të vazhdojë mbështetjen për misionin dhe praninë e trupave amerikane.
Shqipëri: Bashkëpunim ushtarak dhe luftë kundër rrjeteve kriminale
Shqipëria përshkruhet si një aleat i ngushtë i SHBA-së në NATO. Sipas dëshmisë, dy vendet po bashkëpunojnë në luftën kundër organizatave kriminale që kanë lidhje me kartelet e drogës në Hemisferën Perëndimore.
Në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, SHBA-ja do të ndihmojë Shqipërinë në modernizimin e ushtrisë përmes financimit ushtarak të huaj (FMF), duke i mundësuar Tiranës rritjen e blerjeve të pajisjeve të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.
Serbi: Afrim me Beogradin dhe përpjekje për të kufizuar ndikimin rus e kinez
Një pjesë e rëndësishme e qasjes së re amerikane lidhet me Serbinë. Uashingtoni synon të thellojë marrëdhëniet me Beogradin për të kufizuar ndikimin e fuqive të tjera, veçanërisht të Rusisë dhe Kinës.
Pas Dialogut Strategjik SHBA-Serbi të zhvilluar në korrik, Serbia po shihet nga Uashingtoni si një vend me rëndësi për ekuilibrin rajonal. Bashkëpunimi pritet të zgjerohet në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë.
Dialogu Kosovë-Serbi mbetet në ngërç
Për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, SHBA-ja vlerëson se përparimi më i rëndësishëm është arritur gjatë Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump.
Megjithatë, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian aktualisht vlerësohet si i bllokuar, kryesisht për shkak të “mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët”.
Uashingtoni kërkon rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta pa parakushte dhe u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin veprimet dhe deklaratat që mund të rrisin tensionet.
Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi
Në Bosnjë e Hercegovinë, diplomacia amerikane vlerëson se është shmangur një krizë më e thellë pas përpjekjeve për të siguruar tërheqjen e legjislacionit të Republikës Srpska që binte ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit.
Ndërkaq, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen për projektet e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë zhvillimin e kapaciteteve të lidhura me gazin natyror të lëngshëm (LNG). Sipas Uashingtonit, këto projekte mund të krijojnë mundësi të reja për investimet e kompanive amerikane.
Në tërësi, dëshmia e administratës amerikane sinjalizon një qasje më pragmatike ndaj Ballkanit Perëndimor: më pak fokus në ndërhyrjet afatgjata për transformimin e brendshëm të shteteve dhe më shumë vëmendje te stabiliteti, siguria, interesat ekonomike amerikane dhe lufta kundër kërcënimeve transnacionale.

