Telenews

SHBA-ja zbulon planin iranian për vrasjen e Donald Trumpit

Operativët iranianë u përpoqën të vrasin Presidentin e zgjedhur Donald Trump, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve presidenciale dhe ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga komplote të tjera ndaj kritikëve të regjimit dhe personave të profilit të lartë.

Kjo u mësua nga dokumentacioni gjyqësor i bërë i disponueshëm të premten, ku ngrihet akuza ndaj të dyshuarve për një komplot vrasjeje me pagesë. Informacioni u përftua nga disa biseda mes personit që akuzohet si organizator i këtij rrjeti, 51-vjeçarit Farhad Shakeri dhe FBI-së.

Nga padia mësohet se Farhad Shakeri, i cili tha se gjendej në Teheran gjatë kohës që bëheshin bisedat, ra dakort të flasë me FBI-në në këmbim të shkurtimit të dënimit për një person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, që mbahej i burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Farhad Shakeri u tha agjentëve të FBI-së se një zyrtar i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit e kontaktoi diku rreth gjysmës së dytë të shtatorit, për t’i kërkuar që të linte mënjanë planet për vrasjen një disidenti iranian dhe një gazetareje në Nju Jork, dhe që të merrej me organizimin e vrasjes së Donald Trump-it.

Farhad Shakeri tha se iu kërkua të paraqiste një plan brenda shtatë ditëve dhe se kur pati thënë se sulmi ndaj ish-Presidentit Trump do të kushtonte, zyrtari i gardës iraniane i pati thënë se: “Kemi shpenzuar tashmë shumë para… Paraja nuk është problem”.

Ai i tha gjithashtu FBI-së se nëse nuk mund të formulohej një plan brenda afatit kohor shtatëditor, zyrtari i gardës iraniane planifikonte që të pritej deri pas zgjedhjeve në SHBA, duke arsyetuar se zoti Trump do t’i humbiste zgjedhjet dhe se do të ishte më e lehtë për ta vrarë.

Në dokumentacionin gjyqësor nuk thuhet nëse bisedat e Farhad Shakerit me FBI-në ishin të autorizuara nga garda iraniane apo autoritetet e tjera në Iran. Misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Komploti ndaj zotit Trump është vetëm hapi më i fundit në ato që zyrtarët amerikanë i kanë përshkruar si përpjekje flagrante të Teheranit për të vrarë ish-presidentin dhe tashmë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, në hakmarrje për një sulm me dron të vitit 2020 në Bagdad, që vrau Qassem Soleimanin, udhëheqësin e Forcave Quds të gardës iraniane.

Në gusht, zyrtarët amerikanë akuzuan një pakistanez, Asif Merchantin, i cili kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara muaj më parë, i dërguar nga Irani për të gjetur vrasësit, që do të bënin vrasjen e zotit Trump dhe të personave të tjerë.

“Ka pak aktorë në botë që paraqesin një kërcënim kaq të madh sa Irani, për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha në një deklaratë të premten Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland.

“Nuk do t’i tolerojmë përpjekjet e regjimit iranian për të rrezikuar popullin amerikan dhe sigurinë kombëtare të Amerikës”, shtoi ai.

Zyrtarët amerikanë kanë qenë veçanërisht të shqetësuar për përdorimin e përsëritur nga Irani të bandave kriminale dhe të tjerëve, për të vënë në jetë planet e tij të errëta në tokën amerikane.

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se Shakeri, një shtetas afgan që emigroi në SHBA kur ishte fëmijë, i përshtatet këtij përshkrimi.

Dokumentet thonë se Farhad Shakeri u deportua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2008, pasi kishte bërë 14 vite burg, i dënuar për grabitje. Por duket se gjatë kohës që ishte pas hekurave, Shakeri kultivoi një rrjet bashkëpunëtorësh kriminalë, që më pas do t’i përdorte në përpjekjet për të zbatuar urdhrat e Iranit.

Sipas prokurorëve, njëri prej këtyre personave po bashkëpunonte me Farhad Shakerin deri pranë zgjedhjeve amerikane për të vrarë gazetaren e Shërbimit Persian të Zërit të Amerikës, Masih Alinejad, e përshkruar në dokumentet e gjykatës si “një gazetare, autore dhe aktiviste politike iraniano-amerikane, dhe një kritike e hapur e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi iranian dhe ndaj korrupsionit”.

Bashkëpunëtori, 49-vjeçari Carlisle Rivera, më pas iu drejtua një prej të njohurve të tij, 36-vjeçarit Jonathan Loadholt, për të kryer sulmin për një shumë prej 100,000 dollarësh.

Rivera dhe Loadholt u arrestuan të enjten.

Shakeri, Rivera dhe Loadholt akuzohen për vrasje me pagesë, komplot për të bërë vrasje me pagesë dhe komplot për pastrim parash. Akuzat parashikojnë dënime maksimale me 10-20 vite burgim.

Shakeri akuzohet gjithashtu për ofrim dhe komplot për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë të huaj terroriste.

Zonja Alinejad shprehu të premten habinë që ajo të ishte e përfshirë në komplotin për të vrarë presidentin e zgjedhur.

“Jam e shokuar”, shkruajti ajo në platformën e rrjeteve sociale X. “Personi i caktuar për t’i bërë atentat

@realDonaldTrump, u caktua të më vriste edhe mua në tokën amerikane”.

“Erdha në Amerikë për të ushtruar të drejtën time të Amendamentit të Parë për lirinë e fjalës – nuk dua të vdes”, u shpreh ajo. “Faleminderit forcave të zbatimit të ligjit që më mbrojnë”.

Muajin e kaluar, prokurorët amerikanë akuzuan një zyrtar të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit në lidhje me një atentat të dështuar ndaj zonjës Alinejad në vitin 2022./VOA

Të ngajshme

Hovenieri me Kurtin: Me bashkëpunimin më të ngushtë, do të lobonim më shumë për Kosovën

Erzana Fazliu

Arrestohet ministri i Dodikut, ky e akuzon Prokurorinë se dëshiron ta destabilizojë Republika Srpskan

Erzana Fazliu

Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleancës

Donat Hashani