Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar importin e gomave të kompanisë Linglong, të cilat prodhohen në Serbi, për shkak të dyshimeve serioze për përdorimin e punës së detyruar në procesin e prodhimit.
Vendimi është marrë në bazë të vlerësimeve dhe standardeve ndërkombëtare që lidhen me të drejtat e punëtorëve. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), punë e detyruar konsiderohet çdo formë e punës që kryhet nën presion, kërcënim apo shfrytëzim.
ILO thekson se praktika të tilla përfshijnë mbajtjen e dokumenteve personale të punëtorëve, kërcënimet dhe frikësimin, izolimin, orarin e tepruar të punës jashtë normave ligjore, mohimin ose vonimin e pagave, skllavërinë përmes borxhit, si dhe kushtet e këqija të punës dhe jetesës.
Rasti i fabrikës Linglong në Serbi ka qenë edhe më herët në vëmendjen e organizatave ndërkombëtare dhe mediave, për shkak të akuzave për trajtim çnjerëzor të punëtorëve, veçanërisht të atyre të ardhur nga vendet e Azisë.
Ndalimi i importit nga SHBA shihet si një hap i fortë kundër shkeljeve të të drejtave të punëtorëve dhe si një mesazh i qartë për kompanitë që nuk respektojnë standardet ndërkombëtare të punës.

