Pas javësh të tëra përshkallëzimi të tensionit, zyrtarët amerikanë dhe iranianë u përballën me njëri-tjetrin të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku i dërguari i Amerikës ripërtëriu kërcënimet kundër Republikës Islamike pavarësisht përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të ulur tensionet midis dy kundërshtarëve.
ShBA-së iu bashkuan disidentët iranianë në qortimin e shtypjes së përgjakshme të qeverisë ndaj protestave mbarëkombëtare, të cilat, sipas aktivistëve, kanë vrarë të paktën 2,677 persona, shkruan Associated Press.
“Kolegët, më lejoni të jem i qartë: Presidenti Trump është një njeri i veprimit, jo i fjalëve të pafundme siç shohim në Kombet e Bashkuara”, i tha këshillit Mike Waltz, ambasadori i SHBA-së në OKB.
“Ai e ka bërë të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë për të ndaluar masakrën. Dhe askush nuk duhet ta dijë këtë më mirë se udhëheqja e regjimit iranian”.
Komentet e Waltz erdhën ndërsa perspektiva e hakmarrjes së ShBA-së për vdekjet e protestuesve ende varej mbi rajon, megjithëse Trump sinjalizoi një deeskalim të mundshëm, duke thënë se vrasjet dukeshin se po mbaronin.
Deri të enjten, protestat që sfidonin teokracinë e Iranit dukeshin gjithnjë e më të zbehta, por ndërprerja e internetit dhe e komunikimit e urdhëruar nga shteti mbeti.

