Llapi dhe Drenica kanë barazuar në njërën prej ndeshjeve më interesante të xhiros së 24-t të BKT Superligës.
Skuadrat i ndanë pikët pasi ndeshja me 14 minuta shtesë përfundoi baras, 3:3.
Në këtë takim pati rikthime rezultatesh, u qëlluan disa herë shtyllat dhe pati plot raste për shënim.
Llapjanët kaluan të parët në epërsi me Bianor Neto, që shënoi në fillim të lojës.
Më pas, drenicasit barazuan falë autogolit të Peposhit.
Drenica kaloi në epërsi në fillim të pjesës së dytë me sulmuesin e rrezikshëm, Kreshnik Uka.
Kurse, llapjanët nivelizuan gjithçka pas 10 minutash lojë me Ilir Krasniqin.
Mirëpo, Kuqezinjtë e rikthyen përsëri epërsinë në çerekun e fundit të lojës me anë të Kreshnik Ukës, i cili e gjeti golin e dytë personal dhe të tretin për udhëtuesit.
Por, llapjanët nuk u dorëzuan asnjëherë dhe e barazuan rezultatin përmes Firminos.
Kështu, llapjanët e lëshuan një mundësi të artë për t’iu afruar kreut të tabelës.
Nga ana tjetër, Drenica po vazhdon të shfaq formë të lartë në javët e fundit.