Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se dy zyrtarët policorë të lënduar gjatë intervenimit për parandalimin e grabitjes së armatosur në Suharekë të mërkurën, janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Sindikata, në një komunikatë për media, ka dënuar sulmin ndaj zyrtarëve policorë.
LEXO EDHE:
Ndërhyrja gjermane e bindi një pjesë të opozitës – votohen disa marrëveshje ndërkombëtare
“Me datë 22.11.2023,në Qytetin e Suharekës, Policia e Kosovës ka intervenuar për të parandaluar një grabitje të armatosur dhe gjatë intervenimit për arrestimin e të dyshuarve janë lënduar dy zyrtarë policorë, njëri me armë zjarri”, ka thënë Sindikata.
“Pas tretmanit mjekësorë, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Zyrtarëve policorë ju dëshirojmë shërim të shpejtë, kurse dënojmë çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe nga organet e drejtësisë kërkojmë që të veprojnë sipas Ligjit ndaj kryesëve të këtyre veprave penale me qëllim të parandalimit të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë dhe veprave tjera penale”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
“Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve, prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesionalizimin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre, pa kursyer as shëndetin dhe jetën e vet.” /Telenews.al/