Telenews

SINDIKATAT PARALAJMËROJNË NGA 20 PRILLI GREVË, HYKOLLI: S’TËRHIQEMI NGA KËRKESAT E PËRBASHKËTA

Me një pankartë që përmban një kërkesë për kryeministrin Kurti dhe një kërcënim për grevë është mbajtur protestë këtë të premte nga Sindikatat e Pavarura të Kosovës, raporton Ekonomia Online
“Kryeministër, realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, sindikalistët ia drejtuan me disa kërkesa Qeverisë së Kosovës, derisa të parën e kanë rritjen e pagave. Kërkesë tjetër është edhe zbatimi i Ligjit për sigurimin shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për skemat pensionale.
Organizatori i protestës së sotme, të mbajtur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli, tha se kanë dalur në protestë për të kërkuar atë, që sipas tij u takon, e që mendon se u takon edhe më tepër.
Hykolli kërkoi nga kryeministri Kurti hartimin e Ligjit për Paga, në kohë sa më të shpejtë e pa zvarritje, e deri atëherë ai kërkoi rritje page për 100 euro për të gjithë sektorin publik.
“Kërkesat tona janë të arsyeshme e jo rënduese. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të zvarritur Ligjin për Paga, që tash do të duhej të ishte për tu miratuar”.
“Nuk e duam Ligjin për Pagat vetëm si emër, por e duam Ligjin për Paga që do ët krijonte një sistem të njëtrajtshëm të pagave për sektorin publik. E, deri sa kjo të ndodh ne kërkojmë rritje page prej 100 euro për të gjithë sektorin publik”, ka thënë Hykolli.
Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që të pranojë kërkesat e tyre, e t’i pranojë ata në dialog ku sipas tij, bashkë mund të gjejnë zgjidhje.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili mori pjesë në protestën e sotme të BSPK-së, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është shembulli më i keq i heshtjes dhe i mungesës së gatishmërisë për dialog.
Jasharaj tha se nëse nuk merren parasysh kërkesat e kësaj sindikate, nga 20 prilli punëtorët e arsimit do të hyjnë në grevë, e për këtë fajtor sipas tij është kryeministri Kurti.
“Këta punëtorë të arsimit, nga 20 prilli do t’i shohësh në grevë dhe populli lë ta dijë se fajtori i vetëm është kryeministri Kurti dhe qeveria e tij. Në të ardhmen do të jemi këtu, sepse është sheshi ynë, në të ardhmen do të jemi në shkolla, por do të jemi në grevë”, është shprehur Jasharaj.
Tutje, kryetari i SBASHK-ut, tha se dikujt s’do i dalin hesapet si duhet, e sipas tij, asaj që s’do i dalin hesapet si duhet do të jetë Qeveria e Kosovës.
Kërkesë të njëjtë ka edhe kryetari i Sindikatës së Administratës së Pavarur Ali Gashi. Tha se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se nuk kërkojnë privilegje e as beneficione.
“Sot nuk dolëm të kërkojmë privilegje as benificione, por dolëm me kërkesa të drejta. Ne duam që sa më shpejtë të miratohet ligji i pagave. Ligji është i yni, ligji është i punëtorëve me të cilin ligj vlerësohet puna dhe djersa e punëtorëve. Ne përmes kësaj proteste kërkojmë që sa më parë të miratohet ligji për sigurime shëndetësore. Kryeministër, polica jonë janë ata që na e sigurojnë mua ty atij sigurinë personale kurse ata vet nuk janë të siguruar. Kjo është e padrejtë dhe jo humane por që ndodhë në Kosovë”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut , Nexhat Llumnica, tha se që 14 vite nuk respektohet ligji i punës.
“Deri sot i kemi ruajt këto institucione. Sikurse sot që po na ruan policia e Kosovës pa sigurim shëndetësor. Që 14 vite shtet pa sigurim shëndetësor. Që 14 vite shtet nuk respektohet ligji i punës. Që 14 vite shtet nuk ka ligj për paga. Prandaj duhet domosdoshmërish që sot o kurrë t’i kemi. Hidhni sytë kah punëtorët, kryeministër, se nëse nuk orientoheni kah punëtorët atëherë më nuk do të jeni në Parlament”, tha Llumnica.

Të ngajshme

Festat në Ibiza kthehen në makth/ Spitalet nuk përballojnë fluksin e pacientëve nën efektin e drogës

Valjeta Turkaj

Agon Zejnullahu vdiq në rrethana ende të paqarta në orët e hershme të së hënës gjatë ndalimit nga policia.

Erzana Fazliu

Gjendet i pajetë 23-vjeçari pranë liqenit të Shkopetit, dyshohet se makina e tij ka rënë në ujë

Valjeta Turkaj