Pacientët me kancer në Klinikën e Hematologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë duke u përballur me kushte të rënda në sallën e improvizuar të kimioterapisë, kjo pasi që e njëjta ka mungesë të ndriçimit, s’ka dritare, e po ashtu kundërmon erëra nga tualeti.
“Dera nuk mbyllet, djali im duhet të rrijë aty kur unë hyj në tualet”, thotë Serie Plakolli, e sëmurë nga kanceri në gjak për Radio Evropën e Lirë.
Ajo tregon se kur trajtohet me kimioterapi asaj i duhet të qëndrojë rreth katër orë me raste edhe me gjatë duke thënë se “s’ka kondicioner, as çarçafë për dyshekët”.
Kjo situatë në Hematologji në QKUK, është kështu për muaj të tërë, u.d drejtoresha e kësaj klinike, Suzana Krasniqi, ka thënë se janë të vetëdijshëm për mungesat e shumta që janë.
“Tash për tash jemi këtu. E dimë që ka mungesa të shumta, por këto janë kushtet tona”, thotë Krasniqi.
Ndërsa, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), s’janë përgjigjur për këtë çështje.
Ndonëse, në muajin maj në oborrin e QKUK-së ishte vënë gurthemelimi i Klinikës së Hematonkologjisë dhe Nefrologjisë – akoma nuk dihet se kur do të përfundoj.
Më 20 maj, është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, e njëjta sipas deklaratave që janë dhënë nga krerët e shtetit tash i ka 60 shtretër nga 45 sa ishin para rinovimit.
Por, që sipas opozitës e njëjta vazhdon të jetë në situatë jo të mirë për shkak të mungesës së terapive dhe mungesës së barnave.