Këtë javë kanë nisur raundet e para preliminare të garave evropiane për klube.
Një nga çiftet e xhiros së parë preliminare është ajo mes Borac nga Banja Luka e Republikës Serbe në Bosnjë dhe Egnatias nga Rrogozhina.
Ndeshja e parë u luajt në fushën vendase të Boracit, klub që më së shumti mbështetet nga serbët e Bosnjë-Hercegovinës dhe pritej që të kishte tension, pasi kundërshtari ishte kampioni i Shqipërisë.
Megjithatë, ajo që ndodhi i tejkaloi kufijtë sepse tifozët e Boracit pothuajse tërë kohën brohorisnin në kor thirrjen: “Kosova është Serbi!”.
Kjo gjë natyrisht i zemëroi futbollistët e klubit shqiptar nga Rrogozhina, të cilët u larguan nga fusha në minutën e 70-të dhe i kërkuan arbitrit Daniel Stefanski që ta ndërpresë ndeshjen.
Pasi arbitri foli me përfaqësuesit e të dyja skuadrave, vendosi që ndeshja të vazhdojë. Borac fitoi 1:0 me një gol të shënuar në minutën e 96-të. Ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurën e ardhshme në Elbasan.