Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, pritet të qëndrojë sot në Kosovë, ka njoftuar diplomacia kosovare, por pa dhënë detaje specifike rreth vizitës së kryediplomatit luksemburgas në Prishtinë.
“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pret sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, në ora 12:40”, thuhet në njoftimin për shtyp të diplomacisë kosovare.
Bettel pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ku do të nënshkruhet një memorandum mirëkuptimi mes palëve. E pas takimit, do të ketë konferencë për media.
“Mediat mund të marrin pamje në oborrin e qeverisë. Pas takimit do të mbahet konferencë e përbashkët për media, në kuadër të së cilës do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi mes palëve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në agjendën e Bettelit, i cili është përfolur më herët si kandidat potencial për postin e kryediplomatit të Bashkimit Evropian (BE) është edhe një takim me presidenten kosovare, Vjosa Osmani, ku është planifikuar një konferencë e përbashkët pas takimit.
Ndryshe, kjo nuk është vizita e parë e Bettelit në Kosovë. Në korrik 2023, në cilësinë e kryeministrit të Luksemburgut, ai qëndroi në Prishtinë së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Holandës, Mark Rutte, në funksion të uljes së tensioneve me Serbinë.

