17 vjeçari Eldin Gashi që vuan nga paraliza cerebrale dhe kishte telashe në të ecur, këtë të mërkurë i është nënshtruar një operimi të komplikuar dhe të kushtueshëm i cili iu mundësua falas nga Spitali Amerikan.
Këtij të riu iu deshtë të bënte ndërhyrje kirurgjikale në të dyja këmbët duke bërë zgjatje të tendinës së akilit dhe artoerezës me prostop vida, të cilën e kreu ortopedi i mirënjohur, Florin Ramadani që është edhe ortopedi i vetëm në Ballkan që kryen intervenime të tilla.
Ky operim që zgjati më shumë se 1 orë përfundoi me sukses dhe pas kësaj ndërhyrje tashmë Eldin Gashi nga Prishtina, do të mund të ecë shumë më mirë dhe pa dhimbje.
Mëngjesin e së mërkurës, Eldini bashkë me familjarët e tij erdhi në ambientet e Spitalit Amerikan në Prishtinë, e derisa priste për të hyrë në sallën e operacioni, ai për KosovaPress, tregoi se ndihej i frikësuar por edhe i gëzuar që më në fund po i nënshtrohet një operimi, i cili do t’ia ndryshojë jetën për të mirë.

17 vjeçari i cili është edhe avokues i madh i fëmijëve me aftësi të kufizuara, shprehet shumë falënderues edhe për Spitalin Amerikan që i mundësuan këtë operim, i cili ka kosto të lartë financiare dhe të papërballueshme për familjen e tij.
“Pak para operimit po ndihem në siklet, pak po frikësohem më shumë kam gëzim se po e largojnë një barrë dhe po e bëjë një dëshirë që kam dashur me bë para shumë vitesh….Kam paralizë cerebrale deri tash kam bërë 6 intervenime 1 në zemër dhe i gjashti në këmbë. Unë kam me u bë operacion në pjesën e poshtme të këmbëve po shpresoj se do të kem sukses….Me shpresa po mendoj që ka me u bë shumë më mirë dhe po mendoj se jeta jem ka me ndryshua një përqindje shumë të madhe dhe unë kam me vazhdua jetën si bashkëmoshatarët e mijë…Jam falënderues ndaj tyre që kanë shprehur gaditshmërinë e tij që po ma mundësojnë një intervenim të tillë që ka pas shumë kosto për shërimin tim dhe për një të ardhme më të mirë për mua“, theksoi ai.
Një ditë pas operimit detaje për këtë ndërhyrje tek pacienti, Eldin Gashi ndau me KosovaPress-in, ortopedi i mirënjohur, Florin Ramadani, i cili është lider në Ballkan për operacione me artroerez me prostop vida.
Ai tha se operimi i Eldinit zgjati më shumë se 1 orë dhe gjithçka kishte shkuar sipas planifikimeve të tij.

“Pas peripetive dhe analiza që kemi bërë si me Eldinin i cili ka qenë shumë i motivuar për operacion dhe në bashkëpunim dhe marrëveshje me prindërit, kemi vendosur për me bë trajtimin kirurgjikal të të dyja shputave, e cila nuk bëhet gjithmonë pasi duhet njëra shputë për të peshuar, por meqenëse vullneti e ka pas Eldini shumë të madh dhe ka pas shumë besim të madh, meqenëse metodat kanë përparuar dhe na kanë mundësuar me disa trajtime invazive me bë korrektua komplekse dhe që pas shkurt kohës pacienti të mund të mobilizohet. Operacioni ka ecur ashtu siç e kemi paraparë dhe planifikuar kemi bërë zgjatjen e dy tetiave të akilit të cilat kanë qenë në masiv të shkurtuara, kemi bërë korrigjimin e një shpute të rrafshët me metodë shumë të rrallë për regjionin këtu…Kemi bërë edhe korrigjimin e dy gishtërinjve me një teknik shumë speciale, zgjatjen e tetivave. Operacioni ka zgjatur duke 1 orë e 15 minuta”, theksoi ai.
Shumë i emocionuar, doktor Ramadani tregon se operacioni ka qenë shumë i suksesshëm dhe se tashmë Eldin Gashi pas një periudhe rehabilitimi do të mund të ecë shumë më mirë se përpara dhe pa dhimbje.
“Sot shputat janë paraqitur në mënyrë fantastike pa asnjë ënjtje apo skuqje, kuptohet dhimbjet janë normale dhe legjitime janë të tolerueshme…Unë kam dal me një kënaqësi shumë shumë të madhe shumë të suksesshëm sepse me të vërtetë nuk më ka mbetur merak asnjë gjë që e kisha bërë plus apo minus, gjithçka ka shkuar sipas planit….Jam shumë i bindur se karakteri i ecjes do të jetë shumë më i mirë , posaçërisht nuk do të ketë më problem me dy gishtërinjtë që kanë qenë problemi kryesor të cilët pothuajse nuk ka mund të shkel më në ta, tani mund të shkel rrafsh me shputën dhe tani mund ta bëjë hapin meqenëse zgjatja e tetivës ka qenë shumë e suksesshme dhe do të mund shumë më mirë dhe shumë më lehtë në rend pak me më pak dhimbje dhe karakterin dhe modalitetin shumë më mirë me ecë”, deklaroi ai.
Ndonëse pak i lodhur por edhe shumë i gëzuar, i riu Eldin Gashi një ditë pas operimit, thotë se ëndrra e tij për të ecur më lehtë e më mirë tashmë është realizuar.
Eldini nga Prishtina i cili për shkak të telasheve me paralizën cerebrale i është nënshtruar edhe 5 operacioneve të tjera të cilat kryesisht kanë qenë korrigjime, thotë se ky operim i fundit ia ka larguar një barrë të madhe për të vazhduar jetën normalisht.

“Shumë i gëzueshëm se mu ka hjek një barrë e madhe dhe tash te shoh si po më vazhdon jeta me një ecje më ndryshe se sa herët tjera dhe po shpresoj se ka me pas një efekt të mirë“, u shpreh djaloshi 17 vjeçar.
Tejet e lumtur që tashmë djali i saj do të mund të ecë shumë më mirë dhe pa telashe, shprehet edhe nëna e Eldin Gashit, Afërdita.
Ajo për KosovaPress, thotë se këtë operim ka kohë që e presin, derisa falënderoi Spitalin Amerikan që i dolën në ndihmë për këtë operim të djalit të tyre.

“Unë e falënderoj shumë Spitalin Amerikan në këtë rast….po ashtu edhe specifikisht doktor, Florinit që ka qenë i gatshëm me bë një operacion të tillë për shkak se Eldini ka pas edhe moshën edhe gjendja e tij ka qenë jo e mirë për shkak të domosdoshmërisë së këtij intervenimi. Por, kosto e madhe normalisht që asnjë familje kosovare nuk kishte me mund me përballua për atë i falënderohet këtyre akterëve kryesor Spitalit Amerikan….Eldini është në një gjendje shumë të mirë tashmë, ajo ëndrra që e ka pas e kamotshme prej 17 vite që tash i bënë e ka parë vetën me një postul të drejtë dhe një shputë të drejtë që e ka pas ëndërr…Ne i kemi pritur gjatë me vite operacionet e Eldinit dhe çdo vit ka pas edhe shumë sfida në jetë, por krahas shqetësime dhe dhimbjeve si prind, tejet e kënaqur dhe e gëzuar që e kemi realizuar një ëndërr që e kemi pritur shumë gjatë“, theksoi ajo.
Spitali Amerikan në vazhdimësi u del në ndihmë falas pacientëve që kanë nevojë.

