Kosova mori një shtytje politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën këtë javë një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të kamotshme.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, nxiti gjithashtu reagim të menjëhershëm nga Serbia, e cila rregullisht e lufton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Për Ivanа Stradnerin nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington (FDD), rezoluta është “sinjal i fortë politik, pasi e afron Kosovën më pranë NATO-s në kuptimin strategjik”.
“Në letër, Kosova mund të mos jetë shumë më afër anëtarësimit, duke qenë se katër aleatë të NATO-s ende nuk e njohin, por ky është hap në drejtimin e duhur në një kohë kur gjendja e sigurisë në rajon po përkeqësohet”, thotë Stradner për Radion Evropa e Lirë.
Stradner vlerëson se nismat në Kongres, siç është kjo rezolutë, mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojnë aleatët e NATO-s të ndryshojnë qëndrimet e tyre, por ato formësojnë mjedisin politik duke treguar se Uashingtoni e sheh Ballkanin si një çështje të papërfunduar strategjike dhe pret më shumë unitet brenda aleancës.
“Ato gjithashtu dërgojnë sinjal të qartë në debatin e brendshëm amerikan se nuk është koha për të kufizuar apo tërhequr angazhimet ushtarake amerikane nga aleanca në Ballkan, pavarësisht zërave të herëpashershëm në këtë drejtim. Një prani e qëndrueshme ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet thelbësore për parandalimin dhe stabilitetin afatgjatë”, thekson ajo.

