Telenews

Studentët e UP-së organizojnë marsh kundër Asociacionit

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se më 15 shkurt të këtij viti, kur ky universitet shënon 53 vjetorin e themelimit, do të organizojë aktivitetin “Marshojmë bashkë  kundër asociacionit”.

Në njoftim thuhet se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” përgjatë historikut gjysmë shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.

“Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj”, thuhet në njoftim.

“Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë. Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës”.

Më tej thuhet se “Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë”.

“Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë”.

“Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT”.

“Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik”, thuhet në njoftim.

Të ngajshme

Dosja e Prokurorisë: Zbulohen fjalët që Gani Geci ia tha Lirim Mehmetajt

Rrezarta Ramaj

Prokuroria kërkon paraburgim për Gani Gecin, seanca dëgjimore mbahet sot

Rrezarta Ramaj

Nesër nis ngrohja nga Termokosi, mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjet

Rrezarta Ramaj