Telenews

Sveçla: Drejtësia për Afrim Bunjakun mbetet e paplotë pa arrestimin e të gjithë terroristëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se Kosova, më 24 shtator 2023, u përball me, siç e cilëson ai, “sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës”. Sipas ministrit, sulmi ishte organizuar dhe mbështetur nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Tre vite më parë, republika jonë u përball me sulmin terrorist më të madh në Kosovën e pasluftës, të organizuar dhe të mbështetur në të gjitha aspektet nga aparati shtetëror i Serbisë. Në mbrojtje të ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë, atë ditë ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka vlerësuar veprimet e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur, duke theksuar se institucionet e Kosovës, sipas tij, mbrojtën territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues.

Megjithatë, Sveçla ka thënë se procesi i drejtësisë për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku ende nuk është përmbyllur.

“Drejtësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Millan Radojçiq”, ka shkruar ministri.

Në trevjetorin e sulmit, Sveçla ka thënë se sakrifica e rreshterit Bunjaku do të mbetet pjesë e kujtesës së qytetarëve të Kosovës.

“Përulemi me respekt të thellë para sakrificës së tij, e cila do të mbetet përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe udhërrëfyes për brezat e rinj të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, gjatë përballjes së Policisë së Kosovës me një grup të armatosur.

 

Të ngajshme

Në Hamburg paralajmërohet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Yllka Gashi

Kjo nuk pritej, Kina zotëron tani 40 përqind të eksporteve botërore!

Yllka Gashi

Ambasada e ShBA-së nderon Afrim Bunjakun, kërkon llogaridhënie për Banjskën

Yllka Gashi