Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në Banjskë.Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Bunjaku ra në krye të detyrës, duke mbrojtur Kosovën, ndërsa ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit 2023 tregoi, sipas tij, se synimet ndaj Kosovës nuk kishin përfunduar pas vitit 1999.
“Sot u bënë tre vjet prej se listës së dëshmorëve të Kosovës iu shtua edhe emri i rreshterit Afrim Bunjaku. Në këtë përvjetor të tretë, kujtojmë me nderim të lartë njeriun që ra në krye të detyrës, duke mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur nga agresioni dhe grupet kriminale serbe”, ka shkruar Haradinaj.Ai ka përmendur edhe çështjen e personave përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke e lidhur atë me një kritikë më të gjerë për trajtimin e përgjegjësive për krimet e luftës në Kosovë.
“Është një ironi e dhimbshme e historisë kur agresorët që na sulmojnë tash e sa dekada mbeten të lirë e Kosova ende përjeton sulme prej tyre, ndërsa çlirimtarët tanë, ata që e mbrojtën këtë tokë në ditët më të vështira sot gjykohen padrejtësisht në Hagë”, ka deklaruar ai.Haradinaj ka thënë gjithashtu se historia e Kosovës nuk duhet, sipas tij, të rishkruhet dhe se vuajtjet e viktimave të luftës mbeten ende të pranishme.“Kushdo që po tenton ta rishkruajë historinë e Kosovës dhe ta barazojë viktimën me agresorin, le ta dijë se plagët tona janë ende krejtësisht të freskëta”, ka shkruar ai, duke përmendur familjet e personave të zhdukur, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe dëshmorët.Haradinaj ka nderuar Afrim Bunjakun dhe të gjithë dëshmorët e Kosovës.
“Lavdi e përjetshme Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit”.

