Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se është duke vazhduar hetimi në lidhje me vrasjen e Hamide Magashit nga ish-burri i saj, Sokol Halili i cili ka bërë vetëvrasje të premten.
Sveçla ka reaguar pas rekomandimit të Inspektoratit Policor që katër zyrtarë policorë të pezullohen nga detyra.
Këta zyrtarë policorë dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
“Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan”, ka thënë Sveçla
“Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar dorëheqje për gjithë zhinxhirin përgjegjës në rastin e Hamide Magashit.
Por Kurti s’e ka përmendur edhe ministrin e tij Xhelal Sveçla i cili ka përgjegjësi edhe për Policinë.
Në opinionin kosovar është kërkuar pikërisht dorëheqja e Xhelal Sveçlës.

