Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se si po ekzekutohet lirimi i bujqve nga akciza për naftë.
“A ka mundësi kryeministër me na bo të qartë qysh po ekzekutohet çështja e lirimit të bujqve nga akciza në naftë? Qysh po implementohet heqja e akcizës për bujqit në Republikën e Kosovës? Jam munduar të gjejë vendim apo mënyrën se si po implementohet kjo, mirëpo nuk kam gjetur asgjë. A ka mundësi me na tregu edhe për neve edhe për bujqit qysh është mënyra që po e implementoni heqjen e akcizës nga derivatet për bujqit? A iu rimbursohen më vonë, ose cila është forma që po ndodh kjo?”.
Deputetit të PDK-së i është përgjigjur kryeministri Albin Kurti i cili tha se këtë çështje e ka shpjeguar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tash e pesë herë.
Ai ka thënë se për këtë çështje flet Ministri i Bujqësisë, derisa i propozoi Tahirit se nëse do të diskutojë me të për çështjen e njëjtë të kërkojë takim, njofton Klankosova.tv.
“Ne i kemi rritur subvencionet për bujqit përveç tjerash edhe duke e hequr akcizën për naftën e traktorëve të tyre. Së pari e kemi mirëmbajtur subvencionin për sipërfaqe të punueshme, por ia kemi shtuar edhe heqjen e akcizës për naftë dhe ia kemi hequr shpenzimet për plehun artificial dhe me një qasje të bazuar në performancë 3 centë për kilogram të drithërave kur i dërgojnë tek mullistët”.
“Se si e kemi hequr akcizën për naftë tash e 5 herë në këto seancat e fundit është duke e shpjeguar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, që 54 euro për hektar ne jemi duke ia dhënë bujqve në mënyrë që ta kompensojmë akcizën për naftën e traktorëve të tyre. E ka thënë Ministri i Bujqësisë, tash nëse ju dëshironi të diskutoni me mua kërkoni takim me mua dhe unë ju pres pa problem. Për këtë çështje kam ministër të Bujqësisë i cili tash e 5 herë është duke e shpjeguar të njëjtën gjë”.