Sinjali ka siguruar informacione nga banorët për një rast të pazakontë që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në lagjen “Rexhep Mala” në Prishtinë, ku një vajzë e panjohur është parë duke tentuar të hyjë në një banesë në katin e pestë të një ndërtese të njohur si “banesat e Benidones”.
Sipas asaj që i është thënë Sinjalit nga banorët e zonës, gjithçka ka ndodhur rreth orës 07:45, kur një grua që ndodhej në banesë ka dëgjuar zhurma në derë dhe ka reaguar menjëherë.
Ajo është përballur me një vajzë, e përshkruar si e veshur me xhinse dhe bluzë të gjelbër, e cila në dorë kishte një kaçavidë dhe një shkrepëse me dritë të ndezur – mjetet që zakonisht lidhen me tentativa për vjedhje.
Pasi është konfrontuar nga banorja, vajza ka dhënë një sqarim kontradiktor, duke pretenduar se kishte ardhur te fqinjët që po renovojnë banesën në një kat më poshtë.
Mirëpo, në momentin kur është pyetur për mjetet që kishte në dorë dhe arsyen e vërtetë të pranisë së saj aty, ajo është larguar me vrap nga ndërtesa dhe është zhdukur në drejtim të panjohur.
Banorja që u përball me vajzën dyshon se ajo nuk ka qenë e vetme, pasi gjatë incidentit ka dëgjuar një zhurmë tjetër që vinte nga hyrja kryesore e ndërtesës. Ajo gjithashtu ka bërë të ditur për Sinjalin se më parë ka qenë viktimë e një vjedhjeje në të njëjtën banesë.
Për më tepër, sipas banorëve, bizneset përreth posedojnë kamera të sigurisë dhe pritet që pamjet e incizuara të ndihmojnë në identifikimin e personit të dyshuar.
Në një kohë kur siguria nëpër lagje urbane mbetet sfidë, ky rast ngre shqetësime për një mundësi të organizuar të hajnive në objekte kolektive, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit kur shumica janë ende në gjumë.