Raportimi nga veriu i Kosovës sot s’ka qenë fare i lehtë për ekipet e gazetarëve vendorë, por jo vetëm, derisa serbët protestuan kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale. Gjashtë ekipe gazetarësh, nga gjashtë mediume të ndryshme, njëri pas tjetrit u rrezikuan “në vendin e tyre të punës”.
Sipas raportimeve, persona të maskuar ishin ndër kryesit kryesorë të sulmeve ndaj gazetarëve në komunat veriore. Pos sulmeve direkte ndaj gazetarëve, veturat e tyre u dogjën, u thyen, e u vandalizuan, ndonëse nuk i pengonin ndokujt. Këto i dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që u bënë thirrje NATO-s dhe EULEX-it për siguri për gazetarët, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sulmet e para ndaj gazetarëve nisën në mesditë, dhe ndodhën në komunën e Leposaviqit.
Vetura e ekipit të RTV Dukagjinit e cila ndodhej në Leposaviq, u sulmua nga protestuesit serbë atje. Përveç se ia shpërthyen gomat, veturës së ekipit të këtij televizioni ia vendosën edhe simbolin “C”, simbol ky i cili është përdorur edhe gjatë luftës në Kosovë nga paramilitarët serbë pasi kanë kryer krime.
E njëjta gjë ndodhi edhe me veturën e ekipit të KALLXO, të cilës po ashtu i janë shpërthyer gomat, dhe i janë vendosur simbole nacionaliste serbe.
Pak më vonë, sulmet e rrepta ndaj fjalës së lirë “u zhvendosën” në Zveçan, ku ndodhën pjesa më e madhe e sulmeve.
Fillimisht, një veturë e mediumit Top Channel u vandalizua nga protestuesit. Kjo veturë, me të cilën po udhëtonin katër gazetarë të medieve të ndryshme, përfshirë korrespondenti i Euronews Albania, Kosovë Gjoci, u vandalizuar me sloganin nacionalist, si dhe me qëllimin që të mos mund ta ngasin më tej.
Tutje, poashtu në Zveçan, dy persona të maskuar kanë tentuar të sulmojnë ekipin e portalit Periskopi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës publikoi një fotografi ku shihet se bluza e një pjesëtari të ekipit të Periskopit është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili thotë se fatmirësisht nuk ka të lënduar.
o ashtu në komunën e Zveçanit, persona me maska nuk i lanë gazetarët ta kryejnë punën e tyre. Sipas AGK-së, tre persona të maskuar penguan ekipin e “Gazetës Papirus” për të xhiruar. Ata po përpiqeshin t’i filmonin automjetet e KFOR-it.
Ndërkaq, një tjetër veturë u sulmua edhe më rëndë në Zveçan. Bëhet fjalë për mediumin TV Syri, vetura e të cilit është goditur me plumb nga persona të panjohur. Nuk u raportua për të lënduar.
Në Komunën e Zubin Potokut, protestuesit serbë eskaluan edhe më tepër, ngaqë atyre nuk u mungoi thjesht vandalizmi apo thyerja e veturave. Në këtë komunë, vetura e gazetarëve të TV1 u djeg e tëra nga protestues serbë të paidentifikuar, pasi fillimisht ia thyen xhamat.
Ndërkaq, së fundmi, u raportua se rreth dhjetë persona të komunitetit serb detyruan ekipin e gazetarëve të A2CNN nga Shqipëria që t’i fshijnë pamjet e xhiruara. Kështu tregoi për Klan Kosovën, korrespondenti i këtij mediumi, Jul Kasapi.
Këto sulme ndaj gazetarëve, nuk i shpëtuan syrit të BE-së.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dënoi sulmin ndaj veturave të ekipit të mediave KALLXO.com dhe RTV Dukagjini teksa po raportonin për gjendjen në komunat në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, ai theksoi se gazetarëve duhet t’u lejohet të kryejnë punën pa frikë për sigurinë e tyre.
“BE dënon dëmtimin e sotëm të makinave që i përkasin KALLXO dhe RTV Dukagjini. Edhe pse situata e sigurisë në veri është e tensionuar dhe e vështirë, gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”, shkroi ai.
Ndërkaq, edhe organizatat ndërkombëtare të medias dënuan këto raste.
Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor Safe Journalists, ka shkruar një artikull në lidhje me ngjarjet aktuale në veri të vendit, konkretisht për sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës.
Sipas kësaj platforme, ngjarjet aktuale politike në Kosovë kanë ndezur edhe një herë një atmosferë që ka penguar aftësinë e gazetarëve për të kryer me besueshmëri dhe pa pengesa përgjegjësitë e pritshme.
Fillimjava e punës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave veriore në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nisi të hënën me protesta shtesë nga qytetarë serbë në veri, të cilët kundërshtuan hyrjen e kryetarëve në objektet komunale. Kjo rezistencë erdhi pas tensioneve të tjera që përshkuan të premtën e 26 majit, po ashtu në ktëo komuna, dhe po me të njëjtat kundërshtime nga serbët.

