Lirim Sylejmani, 49 vjeçari nga Kosova i cili ka edhe shtetësi amerikane është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në organizatën terroriste ISIS.
Kështu ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sylejmani, i njohur edhe si Abu Sulayman al-Kosovi, u deklarua fajtor më 12 dhjetor 2024 për marrjen e trajnimit të tipit ushtarak nga një organizatë e huaj e përcaktuar si terroriste.
Vendimi u shpall të hënën, më 2 qershor 2025, nga gjykatësi federal Rudolph Contreras, i cili urdhëroi gjithashtu që pas përfundimit të dënimit, Sylejmani të jetë nën mbikëqyrje të përjetshme.
Dënimi u bë i ditur nga Prokurorja Amerikane Jeanine Ferris Pirro, drejtuesja e Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Sue Bai, dhe përfaqësues të FBI-së në fushën e kundër-terrorizmit.
“Sylejmani do të kalojë një dekadë në burg duke reflektuar për tradhtinë që i bëri këtij vendi. Kushdo që mendon se ISIS është përgjigjja, duhet të mendojë sërish. Ne do të shkojmë deri në fund për të ndaluar çdo individ që synon të dëmtojë qytetarët tanë”, tha prokurorja Pirro.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Sylejmani udhëtoi në Siri në nëntor 2015 deri në shkurt 2019, bashkë me familjen, për t’iu bashkuar ISIS-it.
Ai mori pjesë në trajnim ushtarak që zgjati plot 21 ditë, ku mësoi përdorimin e armëve si AK-47, M-16 dhe granata, dhe u emërua në një batalion në Mosul të Irakut.
Ai kishte dhënë betimin e besnikërisë ndaj liderit të atëhershëm të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.
Në maj të vitit 2016, Sylejmani mori pjesë në betejën e Manbijit kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA. Gjatë përleshjeve, ai u plagos në këmbë. Më pas, në vitin 2017, u transferua në një batalion tjetër dhe vazhdoi aktivitetin e tij në zonat e mbetura nën kontrollin e ISIS-it deri në fillim të vitit 2019.
Ai dhe familja e tij u kapën nga Forcat e Koalicionit më 27 shkurt 2019, ndërsa po qëndronin në Baghouz, zonë që u bë bastioni i fundit i ISIS-it.
Pas ndalimit, ai u mbajt në burgun Dashisha nga SDF-ja dhe më pas u transferua tek autoritetet amerikane më 15 shtator 2020 për t’u përballur me drejtësinë.
Rasti u hetua nga Task Forca e Përbashkët për Kundër-terrorizëm e FBI-së dhe u ndoq penalisht nga prokurorë federalë të specializuar në sigurinë kombëtare.