Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Nju Jork, ku një burrë 61-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike brenda një klinike MRI. Keith McAllister vdiq pasi u tërhoq me forcë nga aparati për rezonancë magnetike, si pasojë e një zinxhiri 9 kilogramësh që mbante në qafë.
Ngjarja ndodhi në klinikën Nassau Open MRI, në momentin kur po realizohej një skanim në gju për gruan e tij, Adrienne Jones McAllister.
Sipas saj, gjithçka ndodhi në pak sekonda. “Bërtita emrin e Keith ‘eja më ndihmo të ngrihem’,” tha ajo në një intervistë të fundit, me lot në sy.
Burri hyri në dhomë me zinxhirin e rëndë, që e përdorte për stërvitje. “E pashë aparatin ta rrëmbente dhe ta tërhiqte. Ai vdiq, humbi”, tregoi Adrienne.

Policia e Qarkut Nassau ka konfirmuar se forca e jashtëzakonshme magnetike tërheq objekte metalike me fuqi të madhe, çka rezultoi fatale në këtë rast.
MRI-të përdorin fusha të fuqishme magnetike dhe valë radio për të krijuar imazhe të brendshme të trupit – ndaj pranimi i objekteve metalike në dhomë është rreptësisht i ndaluar.
Hetimet mbi këtë rast tragjik janë ende në vazhdim.