Dy persona kanë mbetur të vrarë ndërsa disa persona janë plagosur rëndë gjatë një incidenti me të shtëna në Hadera, tha Policia e Izraelit.
Dy prej tyre janë punonjës policie.
Sulmuesit sakaq janë qëlluar nga forcat e sigurisë.
Shërbimet e urgjencës njoftuan se dy persona janë plagosur rëndë, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje mesatare.
Dy oficerët fillimisht u raportua se ishin të plagosur rëndë, ndërsa gjendja e dy sulmuesve mbetet e paqartë, shkruan Haaretz.
“Për fat të mirë, oficerët tanë arritën të neutralizojnë sulmuesit dhe të parandalojnë një sulm më të madh terrorist”, tha zëdhënësi i policisë kombëtare Eli Levy në televizionin izraelit Kan.
Burimet izraelite të sigurisë u thonë mediave hebraike se terroristët që kryen sulmin me të shtëna në Hadera janë izraelitë arabë nga zona e Wadi Ara-s.
Tre nga të plagosurit u dërguan në Qendrën Mjekësore Hillel Yaffe në Hadera.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa në vendngjarje ndodhen një numër i madh i policisë dhe emergjencave.
Sulmi vjen ndërsa ministrat e jashtëm nga Izraeli dhe katër vende arabe takohen në Negev për një samit historik, së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Hadera është një qytet i vendosur në distriktin Haifa të Izrael-it.
Ajo gjendet afërsisht 45 kilometra nga qytetet kryesore të Tel Avivit dhe Haifës.
Ky sulm vjen pesë ditë pas një sulmi terrorist që mori jetën e katër personave në jug të shtetit hebre.
Policia bëri të ditur se tre u goditën me thikë për vdekje jashtë qendrës tregtare BIG në Beersheba, ndërsa një i katërt u përplas nga një automjet i drejtuar nga sulmuesi.
Incidenti i rëndë i 22 marsit ishte sulmi më vdekjeprurës i tillë në Izrael prej disa vitesh.