Telenews

Tronditet sporti kosovar, Feronikeli tërhiqet nga garat e Superligës së Futbollit

Atë që e paralajmëroi të mërkurën, skuadra e Feronikelit ’74 e ka konfirmuar të enjten.

Me anë të një postimi, skuadra nga Drenasi ka konfirmuar tërheqjen nga garat pasi ka thënë se e ka të pamundur të vazhdoj në këto rrethana, në të cilat sipas tyre, gjyqtarët po e përcaktojnë rezultatin e ndeshjeve dhe jo loja në fushë.

Klubi ka thënë se ka kohë që ka garuar me përkushtim e dinjitet, ndërsa ka shtuar se pavarësisht pengesave dhe padrejtësive të shumta nga gjyqtarët, ka besuar në zhvillimin “Fair-play” të sportit dhe integritetin e FFK-së.

“Sot, pas përpjekjeve të shumta për të kërkuar drejtësi, , pohojmë qartë: Mjaft është mjaft!”, shkruan në njoftimin e klubit nga Drenasi.

Feronikeli ’74 thotë se humbi pikë por asnjëherë nuk u ndje humbës në fushë. Sipas klubit, humbësi i vërtetë ishte gjyqtari kryesor që shndërroi ndeshjet në padrejtësi të rëndë.

“Përmes këtij vendimi publik, njoftojmë tërheqjen përfundimtare nga të gjitha garat e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky vendim është marrë pas analizave të shumta dhe përpjekjeve tona për të sjellë drejtësi, por për fat të keq, kemi mbetur pa asnjë opsion tjetër”, vazhdon njoftimi i Niklit.

Klubi shkon edhe më tej, duke shtuar se nëse FFK-ja e konsideron të drejtë këtë qasje, atëherë nuk mund të jetë pjesë e një gare të tillë. Po ashtu, Feronikeli ’74 fton Prokurorinë që të hetojë gjyqtarët dhe sjelljet e tyre të njëanshme, të cilat sipas klubit kanë dëmtuar sportin e futbollit.

Klubi i kërkon falje tifo-grupit “Tigrat e Zi” dhe të gjithë donatorëve për këtë vendim, por insiston se nuk kishte opsion tjetër.

Feronikeli ’74 është ankuar vazhdimisht në referim në javët e fundit, ndërsa pas 11-të ndeshjeve të zhvilluara këtë sezon në Superligë, zë vendin e fundit në tabelë me vetëm tri pikë.

Të ngajshme

Ronaldo: S’dua të jem modest, unë jam më i mirë se Messi

Donat Hashani

Momenti që “s’u pa”: Xherdan Shaqiri e Lindrit Kamberi u ‘përplasen’ gjatë fitores së Baselit ndaj Zurichut

Valjeta Turkaj

Joan Garcia gati të rikthehet pas operacionit të meniskut

Valjeta Turkaj