Telenews

Trump në takim me Netanyahun, ka një mesazh të qartë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se ai dëshiron që lufta në Gazë të ndalet dhe se kjo mund të ndodhë së shpejti.

Trump deklaroi se po vazhdon puna për të liruar pengjet që mbahen nga Hamasi, grupin palestinez të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja, por theksoi se lirimi i të gjithëve është “një proces i gjatë”.

Izraeli nisi luftën pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023, kur luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë 251 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Që nga ajo kohë, Izraeli ka vrarë mbi 50.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

I pyetur nëse do të përmbushë premtimin e fushatës për të përfunduar luftën në Gaza, Trump tha: “Do të doja ta shihja luftën të marrë fund, dhe mendoj se ajo do të ndalet në një moment, jo shumë larg në kohë.”

Trump gjithashtu tha të hënën se do të ishte një gjë e mirë që Shtetet e Bashkuara të “kontrollonin dhe zotëronin” Rripin e Gazës, duke rikthyer një propozim që e kishte përmendur disa herë gjatë javëve të para të administratës së tij.

“Është një gjë e mirë të kesh një forcë si Shtetet e Bashkuara atje, që kontrollon dhe zotëron Rripin e Gazës,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë takimit me Netanyahun, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë filluar bisedime të drejtpërdrejta mbi programin bërthamor të Teheranit.

Ky njoftim erdhi pasi zyrtarët iranianë kishin lënë të kuptohej se i kishin refuzuar thirrjet e SHBA-së për negociata të tilla.

Irani kishte kundërshtuar kërkesat e Trumpit që të negocionte drejtpërdrejt mbi programin bërthamor ose të përballej me bombardime, megjithëse fillimisht kishte lënë të hapur mundësinë për bisedime jo të drejtpërdrejta.

“Ne po zhvillojmë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, dhe ato kanë filluar. Do të vazhdojnë të shtunën. Kemi një takim shumë të madh, dhe do të shohim se çfarë mund të ndodhë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Dhe mendoj se të gjithë bien dakord që arritja e një marrëveshjeje do të ishte më e preferueshme”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Paralajmërimet e Trumpit për një veprim ushtarak kundër Iranit kishin rritur shqetësimet në një rajon tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme, pas luftës së hapur në Gazë dhe Liban, sulmeve ushtarake në Jemen, ndryshimit të udhëheqjes në Siri dhe shkëmbimeve të zjarrit mes Izraelit dhe Iranit.

Trump ka thënë se do të preferonte një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit sesa një përballje ushtarake dhe më 7 mars ai kishte thënë se i kishte shkruar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, për t’i propozuar bisedime.

Zyrtarët iranianë kishin deklaruar në atë kohë se Teherani nuk do të shantazhohej për të hyrë në negociata.

Gjatë mandatit të tij të parë në vitet 2017-2021, Trump e tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila vendoste kufizime të rrepta mbi aktivitetet bërthamore të diskutueshme të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Trump gjithashtu rivendosi sanksione të gjera amerikane.

Që nga ajo kohë, Irani ka tejkaluar ndjeshëm kufizimet e asaj marrëveshjeje për pasurimin e uraniumit.

Fuqitë perëndimore akuzojnë Iranin se ka një agjendë të fshehtë për të zhvilluar aftësi për armë bërthamore duke pasuruar uraniumin në një nivel të lartë pastërtie të ndashme, më shumë sesa ajo që konsiderohet e justifikueshme për një program civil të energjisë atomike.

Teherani thotë se programi i tij bërthamor është tërësisht për qëllime energjetike civile./REL/

Të ngajshme

Fahrije Hoti çon në Athinë rrëfimin historik frymëzues të grave të Krushës

Donat Hashani

Imer Hakaj dorëhiqet nga posti i drejtorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore

Donat Hashani

Bllokohet rruga në lagjen Ulpianë të Prishtinës, prezente edhe Policia

Donat Hashani