161 milionë e 700 mijë euro i ka humbur Trusti Pensional gjatë periudhës kohore janar-korrik 2022.
Kjo kumtohet prej raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Sipas raportit, rënia e vlerës së aksioneve të Trustit është më e lartë sesa grumbullimi i mjeteve brenda kësaj periudhe.
“Kontributet e reja të grumbulluara gjatë periudhës janar-korrik 2022 arrijnë në 116.2 milionë euro, përderisa kthimi negativ në investime është 161.2 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së.
E vlera e përgjithshme e aseteve të FKPK-së deri në korrik të këtij viti ka arritur në rreth 2.28 miliardë euro.
Ndërsa, vlera e çmimit të aksionit në korrik ka qenë 1.66 €.
Trusti ka qenë temë e diskutuar edhe për faktin që për muaj me radhë opozita kërkonte një tërheqje deri në 30 për qind, në mënyrë që të përballohet inflacioni.
Por kryeministri Kurti e cilësonte këtë ide si ”mungesë elementare e njohurive mbi shkencën e ekonomisë“.
Kështu tërheqja e një pjese të Trustit nuk ka ndodhur për herë të dytë.
Pasi, herën e parë – në vitin 2020, kur Kosova drejtohej nga Avdullah Hoti, 10 për qind mund t’i ketë marrë çdo kontributdhënës.

