Telenews

U arrestuan nën dyshimet për korrupsion, ish-ministri dhe gjashtë zyrtarët sot dalin para gjykatës

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe gjashtë zyrtarët e tjerë që u arrestuan për korrupsion do të dalin sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, ka thënë se seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet të shtunën, më 20 dhjetor, në ora 12:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion.

Sipas kërkesës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje, nga 20.02.2023 e në vazhdimësi deri më 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal.

Sipas Prokurorisë, M.D. dyshohet se, në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim ankesë për ndryshim të vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronës, ndonëse ishte kaluar afati ligjor për më shumë se tetë vjet. Përkundër kësaj, i pandehuri J.M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që ky rast, ashtu si disa raste të tjera, të përfundojë me marrëveshje gjyqësore.

Si pasojë, vetëm në rastin e fundit i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 220 mijë euro, ndërsa në tërësi dëmi ende nuk ka mundur të përcaktohet, por dyshohet se arrin vlerë milionëshe.

Në këtë mënyrë, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dyshohet se kanë kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Marrja e ryshfetit, Dhënia e ryshfetit, Ushtrimi i ndikimit, Deklarimi i rremë.

Fadil Ismajli, i cili është në mesin e të arrestuarve, ka qenë Ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës në vitin 2013.

Të ngajshme

IKD-ja publikon listën e kandidatëve për deputetë që janë përfshirë në raste penale

Donat Hashani

Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve dhe mediave

Donat Hashani

Ngjarjet kryesore për sot

Donat Hashani