Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend nuk është ulur, por ka mbetur i njëjtë. Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e invazionit rus në Ukrainë.
Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.
Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve, dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomik që të reflektojnë në uljen e çmimeve.
Udhëtari nga Juniku, Florent Kuqi, thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.
“Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.
Xhevdet Spahia, thotë se biletat më shumë nga 5 euro, janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.
“Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto. Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.
Sheref Tepeku, gjersa ankohet për çmimin e lartë të biletave, konsideron se puna e çmimeve nga linjat e autobusëve ngjason me biznes.

