Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë lidhur me akuzat e reja të zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kadri Veseli ka dalë edhe njëherë para gjykatësit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pasi më 29 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Prokuroria po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Smetishtë.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Veseli.
Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se dëshiron që procesi gjyqësor të fillojë sa më parë.
“I kam lexuar dhe kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.

