Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas publikimit të të dhënave për GDP-në për frymë në Evropë për vitin 2026, ku Kosova renditet ndër vendet më të varfra në kontinent.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke thënë se “politika e përçarjes, mashtrimit dhe sindromës së madhështisë” e ka çuar vendin “në fund të pusit”.
Sipas saj, Kosova po shkon drejt fundit të Evropës për mirëqenie dhe zhvillim, ndërsa qytetarët po përballen çdo ditë me kosto më të larta si pasojë e, siç u shpreh ajo, propagandës, konfliktit dhe paaftësisë.
“Kjo nuk është Kosova që meritojmë”, shkroi Çitaku, duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të ndalin, sipas saj, trendin e theqafjes dhe ta rikthejnë Kosovën në rrugën e zhvillimit, dinjitetit dhe shpresës.
Në postimin e saj, ajo publikoi edhe një grafik ku Kosova renditet e dyta ndër vendet më të varfra në Evropë sipas GDP-së për frymë për vitin 2026.


