Policia e Kosovës ka ndëshkuar tre shoferë në rajonin e Ferizajt për kundërvajtje të rënda në trafik, në kuadër të planit operacional për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Sipas njoftimit, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndaluar në fshatin Rakaj një automjet të tipit Audi me targa të huaja, të cilin e drejtonte N.B., 28 vjeç. Gjatë kontrollit është konstatuar se ai po lëvizte me shpejtësi 161 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi është 50 kilometra në orë, përcjell KosovaPress.
Për këtë shkelje, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.
Ndërkohë, Stacioni Policor në Ferizaj i ka hequr patentë-shoferin për 12 muaj shoferit D.Ç., 23 vjeç, pasi në periudhën 26 gusht 2025 – 9 qershor 2026 kishte grumbulluar 10 pikë negative si pasojë e disa kundërvajtjeve të rënda në trafik.
Në një rast tjetër, policia ndaloi në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj një automjet të tipit Opel Vivaro, të drejtuar nga A.H., 23 vjeç, i cili kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Për këtë kundërvajtje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh, dy pikë negative dhe ndalim i drejtimit të automjetit për tre muaj.
Policia bëri të ditur se ky rast është raportuar nga një qytetar përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.
Policia Rajonale e Ferizajt theksoi se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në terren për të rritur sigurinë në komunikacion, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet në trafik përmes numrit 192, numrave të stacionit policor ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

