Aktualisht po ekziston një qeveri që po tenton ta vërë shtetin nën kontroll dhe për këtë arsye vendi po shkon drejt ciklit zgjedhje pas zgjedhjesh, kështu është shprehur njohësi i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC), Bodo Weber.
Sipas tij, një situatë e tillë është nxitur edhe nga retorika shumë agresive, e cila ka thelluar më tej përçarjet politike.
“Kemi një qeveri që sundon në një mënyrë relativisht autoritare dhe po përpiqet ta vërë shtetin nën kontrollin e saj”, deklaroi ai për mediumin gjerman Frankfurter Rundschau.
Weber parashikon skenarin më të keq, duke thënë se mund të ketë vazhdim të krizës institucionale dhe bllokadës politike.
“Do të shohim përsëri zgjedhje të reja dhe i njëjti cikël do të përsëritet”.
Ndërkaq, ai thekson se prishja e raporteve mes Kurtit dhe ish-presidentes Vjosa Osmani ka ndodhur pasi Osmani, sipas tij, është pozicionuar mirë në arenën ndërkombëtare, përfshirë përmes Bordit të Paqes të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Nga këndvështrimi i tij, Osmani mund të ketë tentuar të forcojë marrëdhëniet me Trump për të siguruar një mandat të dytë.
“Në qeverinë e Kurtit, kjo ka shkaktuar xhelozi dhe tensione”.
Weber vlerëson se, ndonëse Osmani është parë si një partnere e mundshme për koalicion, një gjë e tillë mbetet “shumë e pamundur” pas zgjedhjeve të fundit.

