Janë zbardhur emrat e 10 personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Puzzle” në Shqipëri.
BalkanWeb raporton se ditën e sotme u arrestuan: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu.
Ndërkohë, në 1 maj janë arrestuar shtetasit Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi, të dy këta shtetas të Kosovës.
Janë shpallur në kërkime dhe dy shtetas të tjerë të identifikuar si R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë, por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë për t’i shitur.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të ndaluarve, Kevin Farruku, u gjetën dhe sekuestruan 2077 fara kanabisi, duke treguar lidhje të mundshme të grupit edhe me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimit, u sekuestruan: 14 armë zjarri (12 pistoleta, një prej tyre me shurdhues, dhe 2 automatikë), 2077 fara kanabisi, municion luftarak dhe krehra, 3 automjete dhe 8 celularë.