Raportimet nga Italia sugjerojnë se Milan dhe Inter shpresojnë të gjenerojnë rreth 180 milionë euro nga të ardhurat e stadiumit pasi të ndërtojnë arenën e tyre të re, duke zëvendësuar ikonikun “San Siro”.
Milan dhe Inter e kanë blerë zonën e “San Siros”, përfshirë edhe “Stadio Meazza”, dhe janë gati të paraqesin planin e tyre për një stadium të ri në atë distrikt.
Dy klubet milaneze e kanë ndarë stadiumin prej shumë vitesh, por ai më parë ishte në pronësi të bashkisë së qytetit.
“Është një moment historik dhe një datë që do të mbetet në librat e historisë për të gjithë futbollin italian, pasi është hera e parë që dy klube bashkohen për të ndërmarrë një hap kaq të madh,” tha Marotta për “DAZN Italia” në nëntor, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Duhet të kemi respekt për këtë ikonë strukturore, e cila ka qenë mbartëse e pasionit të madh dhe kujtimeve, ndaj objektivi ynë është të ndërtojmë një ‘enë’ të re që mund të jetë skena e shumë momenteve të tjera të mrekullueshme”, shtoi ai.
Tani Milan dhe Inter shpresojnë ta ndërtojnë shtëpinë e tyre të re deri në vitin 2030 dhe, sipas “Gazzettas”, klubet synojnë të gjenerojnë të paktën 180 milionë euro në sezon nga të ardhurat e ditës së ndeshjes.
Tifozë nga e gjithë bota tashmë vizitojnë “Stadio Meazzan”, i njohur edhe si “San Siro”, për ndeshjet shtëpiake të Milanit dhe Interit, dhe pritet që edhe më shumë të vijnë në Itali sapo stadiumi i ri të jetë gati.
Ndjekja e futbollit në stadiumet italiane është shumë më e përballueshme krahasuar me vende të tjera të Europës, por tifozët që vijnë nga jashtë Gadishullit duan gjithashtu ta bëjnë udhëtimin sa më ekonomik të jetë e mundur.

