Gjatë javës në Kosovë ka vazhduar të jetë dilema nëse do të ndërpritet greva apo jo. Pos kësaj ngjarjeje kishte raportime që ishte përgatitur atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ky i fundit po e synon edhe një mandate në krye të VV-së. Ndërkohë po përballet me dialogun me Serbinë, një kornizë e re e dialogut është raportuar në media. Po ashtu gjatë kësaj jave ka pasur zhvillime në PDK, por edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka mbrojtur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Greva vazhdon

Një muaj i plotë që kur ka nisur greva në arsim. Nuk ka marrëveshje në mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës.
Sindikata po i kërkon 100 euro shtesa deri në hyrje në fuqi të Ligit për Paga, por ekzekutivi i ofron 50.
Ky dallim ka bërë që fëmijët të mbesin pa shkollë, ndërkohë prindërit gjatë kësaj jave e organizuan një protestë.
Të mërkurën drejtoresha e përgjithshme e Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim, Susan Flocken, nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në sektorin e arsimit në Kosovë.
Ajo është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe kreun e Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharajn. Pa sukses.
“Kam ardhur këtu nga Brukseli për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, teksa mësuesit janë në grevë, duke kërkuar shumë qartë rritje të rrogave. Por, ata po kërkojnë zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, edhe kanë kërkesë për reformën në skemën pensionale. Kemi pasur një takim të gjatë [me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti], por nuk ishim në gjendje të gjenim një zgjidhje”, ka thënë Flocken gjatë një konference për media në Prishtinë.
Por Kurti i është ankuar asaj që Jasharaj në takim i ka thënë se do të konsultohet me anëtarësinë. Por shton se “nuk e ka bërë atë”.
“Po sa doli nga takimi iu adresua mediave duke thënë se greva dot ë vazhdojë”, ka deklaruar Kurti të mërkurën.
Më pas Rrahman Jasharaj ka qenë i ftuar nga deputetët në Komisionin për Arsim.
Aty e ka pasur një konflikt verbal me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha i cili ia ka ngritur tonin Jasharajt.
Të premten ka qenë edhe një tjetër takim në atë komision.
Ardian Gola, deputet i LVV-së ka kërkuar që mësimi të fillojë e në shenjë greve mësimdhënësit të mos vendosin nota për nxënësit.
Këtë ide e kanë hedhur poshtë shumica e anëtarësisë së SBAShK-ut.
E të dielën, Hykmete Bajrami, deptuete e LDK-së e ka dhënë një ide.
“Të pranohet oferta e Qeverisë për shtesën 50 euro, por kjo shtesë të vazhdoj deri me 31.12.2022. Me 01.01.2023 të filloj implementimi i Ligjit të Pagave. Në rast se Ligji i Pagave nuk hyn në fuqi, të planifikohet buxhet që shtesa prej 50 euro të vazhdoj deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji”, ka shkruar Bajrami në Facebook, të dielën.
Si pjesë e marrëveshjes, ajo ka këkuar që Qeveria të mos zbatojë ndëshkime ndaj grevistëve për mos kryerjen e punës në muajin shtator.
Kurti në rrezik?

Të hënën në mediat e Shqipërisë ishte raportuar se gjatë vitit 2021 është përgatitur një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ismet Haxhës.
Zyra e kryeministrit e ka pranuar se kanë pasur informacione nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
”Nuk kemi dashur të shkaktojmë panikë“, është thënë në përgjigje.
Mediat në Shqipëri e kanë dhënë një emër që dyshohet si snajperist, u përmend emri i Prekë Kodra. I cili gjatë kësaj jave e ka pasur edhe një paraqitje televizive.
Kurtin thotë ta ketë parë vetëm në ekranet televizive. Ndërkaq, Halitin dhe Hahxën, thotë se “as s’ka dëgjuar më parë”.
Kështu ka pretenduar Prekë Kodra, i përfolur në media si një shnajperist që po përgadiste atentate, përfshirë edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Pikërisht Prekë Kodra po atë ditë kur dolën raportimet thotë se e ka dëgjuar emrin e tij teksa përflitet si planifikues atentatesh.
Në emisionin Pressing, në T7, të mërkurën Kodra ka mohuar gjithçka rreth akuzave në drejtim të tij.
“Cka me spjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu,. Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, ka thënë ai.
Pas raportimeve, Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kishin marrë informacion nga Agjencia e Inteligjencës Kosovare (AKI).
Policia e kishte ndaluar Prekën teksa ai kishte hyrë në kufirin e Kosovës.
“Nuk më ka pyet kërkush nga policia për këtë gjë. Mua më kanë ndalë në Kosovë para një viti në Doganë. Kam qenë duke shku në Kosovë me ble një kamionçinë për ndërmarrjen time. Kur më kanë ndalu kam qenë më makinën e vajzës time. Më kanë marrë dokumentat, më kanë thënë, a ka mundësi me zbrit dhe më kanë mbajt aty nga ora 2 pasdite deri në 11 të darkës, as nuk mëtregojshin pse jam ndal. Më kanë nxjerr paret, më kanë thonë a ke gjë me veti. I kom thonë po kam 15 mijë euro me veti. Më kanë dërguar në Prishtinë, tek departamenti i kirmeve të rënda, atje më kanë marrë në pyetje dhe unë nuk kuptojsha mirë se për cka bëhej fjalë. Më thanë se dyshohesh për falsifikim të parasë. Unë isha i sigurt që paratë ishin të pastërta”, ka thënë ai.
Ai thotë se është një njeri i zakonshëm që i ka problemet e veta. Për këtë kërkon që të mos i lakohet emri, pasi shprehet që ende është i lënduar nga krejt kjo që është raportuar rreth tij.

Po ashtu, Kodra ka thënë se Kurti, Haliti dhe Haxha duhet të qëndrojnë të qetë.
“Ata personat që ua kanë përmend emrat… se mos po iu mbytë ai shaljani prej Dukagjinit, thuajuni të rrinë të qetë sepse unë s’i njoh e as s’i di e s’kam punë fare me ta. Edhe po të jetë nevoja, shkoj e i takoj nëpër shpija e ju vij në rrugë nëse ata ndihen të kërcënuar nga unë, unë u vij në rrugë me zakone të Dukagjinit e të zonave të Malësisë së Gjakovës, si i din edhe ata rregullat. Këto janë shpifje, janë intriga. Kush ka punë me mua më del ballë për ballë e m’i thotë gjërat në sy, jo pas shpine. Unë jam një njeri që s’kam prekur në besë kurrë edhe nuk kam punë, as telashe as kurrë një gjë të hapur me kurrë një njeri”, ka thënë ai
Kodra gjithashtu ka folur edhe për një fotografi që ka qarkulluar ku ai shihet me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj.
Thotë se me Selmanjn është takuar vetëm njëherë dhe më kurrë. Takimi e shpjegon si spontan.
Por i vije keq që emri i Driton Selmanajt është lakuar.
Zgjedhjet në Lëvizjen Vetëvendosje

Në partinë e Albin Kurtit, po zhvillohen zgjedhjet e brendshme.
Kandidati i vetëm për kryetar është Albin Kurti.
Ndërkaq për Forumin e Gruas synon Albulena Haxhiu, e për të rinjet e Vetëvendosjes, Behar Mjekisi.
Po ashtu do të zgjidhen edhe kandidatë për kryetarë degësh e pozita të tjera.
Rezultatet shpallen të dielën pas orës 19:00
Presidentja në Amerikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave ka qëndruar në Londër dhe New York.
Fillimisht, Osmani gjatë funeralit të Mbretëresësh Elizabetë është takuar me presidentin amerikan, Joe Biden.
Më pas, Osmani është pritur në Shtëpinë e Bardhë, në një pritje tradicionale që bëhet për liderët nga e mbarë bota.
Osmani ka zhvilluar takime edhe me zyrtatë të tjerë të lartë amerikanë.
“Miqësia Kosovë-SHBA është e përhershme”, ka thënë Osmani në çdo takim.
Debati për kornizën e re të dialogut

Edhe pse korniza e re e dialogut nga Albania Post u publikua të dielën, gjatë gjithë javës është diskutuar rreth saj.
Dokumenti i referohej Francës dhe Gjermanisë si projektues të kornizës së re, në parim ishte pozicion neutral ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Aty nuk flitej për një njohje të menjëhershme, pasi kjo është e ndërlidhur edhe me zgjerimin e Bashkimit Evropian për perspektivën e Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja nuk është ende gati”, thuhej në dokument…
Por ishte përcaktuar korniza 10 vjeçare që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. E deri në atë kohë, statusi i Kosovës do të ishte vetëm një ”realitet i veçantë politik“.
Kosovën do ta njihnin pesë shtetet e BE; Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro që deri më tani nuk e kanë njohur. Nga ana tjetër Serbia do të përfitonte statusin e një “fuqie politike dhe ekonomike rajonale”.
Ndihma të mëdha do të kishte shteti serb nëse do ta pranonte këtë kornizë afatgjatë, sipas të cilës pas njohjes reciproke vendet do të ishin gati për t’iu bashkuar familjes evropiane.
Pakënaqësi në PDK

Në Partinë Demokratika të Kosovës, të shtunën është zhvilluar konventa programore.
50/50 është platforma e tyre, që nënkupton barazi gjinore në secilin organizim të partisë.
Por deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i ka shprehur pakënaqësitë e saj në parti, mendon që është shndrruar në parti-pronë.
“Secili që merr mundin dhe e analizon këtë koventë, e që vetëm Konventë nuk mund të quhet, padyshim vjen në përfundim se në asnjë rrethanë nuk mund të mohohet tendenca e disa individëve për të kontolluar gjithçka dhe për të përjashtuar çdo gjë që nuk ju shkon atyre për shtati” ka thënë Musliu.
Por Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, ka thënë se kjo parti opozitare nuk po tjetërsohet, por po reformohet.
Rama mbron Thaçinnë Hagë

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se Hashim Thaçi, është arrestuar dhe ka pritur një vit që të ngrihet aktakuzë ndaj tij, ku sipas tij në aktakuzë nuk ka as një fjalë nga raporti i Dick Martyt, për shkak të cilit ishte themeluar Gjykata Speciale.
Sipas Ramës, Gjykata Speciale është themeluar mbi raportin e Marty-it.
“Ish- presidenti i Kosovës është arrestuar pa aktakuzë dhe kishte pritur një vit në paraburgim derisa formalisht u ngrit aktakuza ndaj tij”, ka thënë Rama në OKB.
“Të gjithë ju, imagjinojeni për një moment, presidenti juaj ose kryeministri, udhëheqësit e vendeve tuaja, të merret në paraburgim në një vend të tretë për një vit të tërë pa asnjë aktakuzë zyrtarisht nga një trup i krijuar dhe i sponzorizuar nga një komunitet i vendeve demokratike”, ka thënë ai.
Pas kësaj deklarate, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka cilësuar atë si “kryeministër të shqiptarëve”, të shtunën. /Telenews

