Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë ndodhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërmjetësuesi evropian i procesit, Mirosllav Lajçak, priti kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa më vonë do të takojë edhe delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq, raporton rel.
Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja.
Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.
Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.