Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot, më 7 prill 2025, një takim me përfaqësues të mediave në kuadër të procesit të shqyrtimit tarifor për vitin 2025, në një përpjekje për të “sqaruar” vendimet dhe arsyetimet që qëndrojnë prapa përcaktimit të të hyrave të lejuara maksimale për operatorët e licencuar OSSH-KEDS, OST/OT-KOSTT dhe FSHU-KESCO.
Takimi, i cili fillimisht ishte paralajmëruar si i mbyllur për media, u hap për gazetarët në momentin e fundit dhe përfshiu një prezantim të detajuar nga ZRRE për procesin e përshtatjeve të rregullta tarifore. Gjatë këtij prezantimi, u theksuan faktorët që sipas ZRRE-së kanë ndikuar në rritjen apo ndryshimin e të hyrave të operatorëve për vitin e ardhshëm, transmeton Telenews.al
Megjithatë, kjo qasje e ZRRE-së shihet nga shumë si një përpjekje për të zbutur reagimet e mundshme të opinionit publik, përballë shqetësimeve të vazhdueshme për kostot e larta të energjisë elektrike dhe mungesës së transparencës në vendimmarrje. Kritikët vlerësojnë se dokumentet teknike dhe mënyra e paraqitjes së tyre mbesin të ndërlikuara për publikun e gjerë, ndërsa pjesëmarrja e mediave në një takim që nuk ishte planifikuar të jetë i hapur, ngre pikëpyetje mbi seriozitetin dhe qasjen e hapur që pretendon ta ketë ZRRE.
ZRRE, në fund të takimit, falënderoi mediat për “kontributin e vazhdueshëm në informimin e duhur të konsumatorëve”, por nuk ofroi ndonjë premtim konkret për rritje të transparencës apo përfshirje më të gjerë të publikut në procesin e vendimmarrjes për tarifat.
Prezantimi i bërë gjatë takimit është publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së dhe mund të shkarkohet këtu:
👉 Prezantimi për media (PDF)
Në pritje të vendimeve përfundimtare për tarifat e reja të energjisë, mbetet për t’u parë nëse konsultimet me palët e interesit do të jenë reale apo vetëm një formalitet për të arsyetuar vendime tashmë të marra. /Telenews.al/