Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur mbështetje të plotë për deklaratën e Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, i cili ka kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, si dhe llogaridhënie për çdo mangësi të mundshme institucionale.
“Nuk ka vend për femicid në shoqërinë tonë.BE-ja në Kosovë mbështet plotësisht deklaratën e mëposhtme të Grupit për Siguri dhe Gjini, i cili përbëhet nga palë të ndryshme të interesit”, thotë Zyra e BE-së në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Në deklaratë, grupi shpreh shqetësim të thellë për rastin, duke theksuar se viktima kishte kërkuar mbrojtje urgjente nga institucionet pak para vdekjes së saj.
Sipas grupit, ky rast ngre shqetësime serioze lidhur me reagimin institucional ndaj dhunës në familje dhe nevojën për parandalim më efektiv, koordinim ndërinstitucional dhe përgjegjësi për çdo dështim të konstatuar.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore kërkon që hetimi të përfshijë shqyrtimin e reagimit të institucioneve ndaj kërkesave të mëparshme të viktimës për mbrojtje, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë për çdo mangësi të evidentuar.
Po ashtu, kërkohet koordinim i menjëhershëm ndërmjet Policisë së Kosovës, prokurorive, gjykatave, mbrojtësve të viktimave dhe shërbimeve sociale, për të siguruar vlerësime të sakta të rrezikut dhe mbrojtje efektive për gratë që përballen me dhunë.
Një tjetër kërkesë është shqyrtimi urgjent i rasteve të dhunës në familje me rrezik të lartë, me qëllim identifikimin e mangësive në mbrojtje dhe parandalimin e rasteve të tjera tragjike.

