Milani ka bërë zyrtare nënshkrimin me mbrojtësin e djathtë zviceran, Zachary Athekame, nga skuadra e Young Boys.
Lojtari 20-vjeçar ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, e cila do ta mbajë në “San Siro” deri në vitin 2030.
Ish-mbrojtësi i Xamax do të mbajë fanellën me numrin 24 te “Rossonerët”. Sipas raportimeve, Milani ka paguar një tarifë prej 10 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa Young Boys kanë ruajtur një klauzolë prej 10 për qind për çdo shitje të ardhshme.
Athekame është një lojtar i gjithanshëm në krahun e djathtë, i aftë të luajë si mbrojtës i krahut, por edhe më përpara në mesfushë.
Ai ka gjithashtu 10 paraqitje me përfaqësuesen U21 të Zvicrës. Gjatë sezonit 2024/2025 me Young Boys, Athekame zhvilloi 30 ndeshje në kampionat, ku regjistroi dy asiste dhe luajti mbi 1700 minuta.
Ai ishte gjithashtu pjesë kyçe e skuadrës në Ligën e Kampionëve, duke luajtur në të gjitha tetë ndeshjet e fazës së grupeve.
Para se të kalonte te Young Boys, 20-vjeçari ka luajtur për Xamax dhe është formuar në akademinë e Bejune. Transferimi i tij te Milani shihet si një hap i madh në karrierën e tij.