Telenews

15 vjet zvarritje nëpër gjykata, Kushtetuesja konstaton shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pasi një kontest gjyqësor kishte zgjatur për më shumë se 15 vjet.

Vendimi është marrë në rastin KI179/25, të parashtruar nga PTP “3T” SH.P.K., lidhur me kohëzgjatjen e procedurës në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë.

Gjykata Kushtetuese njëzëri e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se është shkelur paragrafi 1 i nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt.

Rasti kishte nisur më 6 shtator 2010, kur parashtruesi kishte ushtruar kërkesëpadi ndaj Komunës së Prishtinës dhe BQK-së, lidhur me tërheqjen e mjeteve nga “Fondi i Besimit”.

Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte refuzuar kërkesëpadinë në vitin 2013, ndërsa pas ankesës, Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Në vitin 2017, Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë, por pas ankesës së Ministrisë së Financave, Gjykata e Apelit në vitin 2020 e kishte prishur sërish vendimin dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Me themelimin e Gjykatës Komerciale në vitin 2022, lënda ishte transferuar në këtë gjykatë, ku ka mbetur për shqyrtim dhe vendimmarrje.

Kushtetuesja vlerësoi se zvarritja nuk ishte shkaktuar nga parashtruesi, por nga gjykatat e rregullta, të cilat, pa arsye konkrete, nuk kishin arritur ta përfundonin kontestin brenda një afati të arsyeshëm.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura gjyqësore ishte zvarritur për më shumë se 15 vjet, duke cenuar të drejtën e palës për vendim brenda një afati të arsyeshëm.

Të ngajshme

Zbulohet lokacioni ku u gjet arsenali i armëve në Zubin-Potok

Yllka Gashi

72 armë, mitralozë, pushkë e granata, Hoxha jep detaje të reja për armatimin në veri

Yllka Gashi

Sveçla deklaron nga Mitrovica: Policia sekuestron armë, municion dhe uniforma serbe në veri

Yllka Gashi