Pas vetëm 338 ditësh në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka vendosur të largohet nga drejtimi i partisë, duke njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit.
Vendimi i tij hap një kapitull të ri për PDK-në, e cila tashmë pritet t’i drejtohet procesit të brendshëm zgjedhor për të përcaktuar udhëheqjen e ardhshme.
Ish-kryetari i PDK-së theksoi se përgjegjësitë që ka mbajtur që nga viti 2020, përfshirë kandidimin për kryetar të Komunës së Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka pranuar nga detyrimi ndaj PDK-së dhe jo nga ambiciet personale. Gjatë mandatit, ai tha se ka synuar ruajtjen e unitetit të partisë dhe besimit të anëtarëve dhe votuesve.
Ai shtoi se nuk po largohet nga PDK-ja, por vetëm nga pozita e kryetarit.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, deklaroi Hamza.
Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së më 17 nëntor 2025, pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje, dhe e udhëhoqi partinë për 338 ditë. Gjatë mandatit të tij, PDK garoi në dy zgjedhje parlamentare të parakohshme: më 28 dhjetor 2025, ku mori 20.19% të votave dhe 22 ulëse, dhe më 7 qershor 2026, ku mori 19.44% të votave të cilat u përkthyen në 22 mandate në Kuvendin e Kosovës.

