Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të PDK-së.
Hamza këtë e bëri të ditur në një konferencë për media.
Megjithatë, ai deklaroi se nuk do të dorëzohen dhe do të angazhohen për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së të dënuar në Hagë.
“Kam shpresuar deri momentin e fundit që pas 16 shtatorit këtë përgjegjësi do të mund t’ua dorëzoj liderëve të luftës dhe paqes, kam besuar se menjëherë pas 16 shtatorit ata do të ktheheshin në Kosovë dhe do ta vazhdonin vetë rrugëtimin e tyre politik. Edhe përkundër rrethanave të mia personale, kam qëndruar dhe shpresuar se kjo ditë po vinte”, tha Hamza, njofton Klankosova.tv.
Por 16 shtatori, sipas tij, fatkeqësisht e padrejtësisht na bëri këtë shpresë edhe më të largët.
“As unë dhe as PDK-ja nuk do të dorëzohemi në përpjekjet tona për lirimin e tyre. Do të vazhdojmë të angazhohemi për drejtësinë, për të vërtetën dhe për kthimin e tyre pranë familjeve të tyre, pranë popullit dhe pranë Kosovës”, tha tashmë kryetari i dorëhequr i PDK-së, Bedri Hamza.

