Automatizimi i procesit të punës në Administratën Tatimore të Kosovës,(ATK) ka bërë që asnjë tatimpagues të mund të pretendojë se mundet t’i anashkalojë apo vonojë pagesat e detyrimeve tatimore, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj.
Ky automatizim, sipas tij, ka bërë që të rritet përmbushja e obligimeve tatimore në mënyrë vullnetare, ndonëse mbeten sfidë borxhet e vjetra në vlerë të rreth 500 milionë eurove.
“Administrata Tatimore e Kosovës është duke performuar me trend pozitiv në inkasimin e të hyrave. Gjatë periudhës janar-korrik ka arritur të inkasojë rreth 515 milionë euro, ose mbi 18 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Do të thotë, 79 milionë euro më tepër sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Janë një mori faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e performancës së të hyrave tatimore, por ndër kyçet, që ne vlerësojmë, janë: rritja e llogaridhënies, përgjegjësisë së stafit, pastaj kampanjat e shumta me të cilat po i bëjmë thirrje komunitetit të biznesit që t’i përmbushë detyrimet tatimore si dhe automatizimi i shumë proceseve të punës”.
Ndërkaq sa i përket punëtorëve të deklaruar, ai tha se sipas të dhënave të muajit korrik, janë rreth 15 mijë më shumë sesa gjatë muajit korrik të vitit të kaluar.
“Nëse iu referohemi të dhënave nga terreni atëherë del se sektori i ndërtimtarisë dhe sektori i gastronomisë kanë më tepër punëtorë të padeklaruar. Sipas të dhënave të muajit korrik, i kemi mbi 405 mijë punëtorë të raportuar, rreth 15 mijë më shumë sesa gjatë muajit korrik të vitit të kaluar”, është shprehur Murtezaj.

