Telenews

Tri vjet nga publikimi i aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

 

 

Dhomat e Specializuara në Hagë më 5 nëntor 2020 bënë publike aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veprat e pretenduara ndaj tyre kanë të bëjnë “me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

Po më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ndërsa Krasniqi u transferua një ditë më parë, më 4 nëntor. Ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi më 3 prill 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi para trupit gjykues u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilën i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar e që lidhen me krime lufte. /Telenews/

Të ngajshme

Sherri nisi për një pjatë proshutë, detaje nga vrasja në Tiranë

Valjeta Turkaj

Shembet ndërtesa shtatë katëshe afër Stambollit, raportohet se ka njerëz nën rrënoja

Erzana Fazliu

Kurti në Paris: Evropa ka nevojë për qëndrim të qartë kundër autoritarizmit

Valjeta Turkaj