Reshjet që e filluan në orët e para të mëngjesit e intensitetin vetëm sa e shtuan gjatë ditës. Kjo ishte edhe arsyeja, pse Instituti Hidrometeorologjik I Kosovës, doli me një njoftim ku paralajmëronte se në disa zona mund të ketë edhe vërshime, për cka, ekipet e këtij insituti gjatë ditës dolën edhe në teren.
“Zonat kryesisht malore, duke fillu nga pjesa veri-perëndimore pastaj pjesës qendrore dhe asaj lindore të Kosovës kanë qenë më të rrezikuara”, ka deklaruar Bashkim Kastrati – Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Pas këtij njoftimi, në gjendje gatishmërie janë shprehur komunat që në janar ishin të dëmtuara pikërisht nga vërshimet.
Komuna e Mitrovicës së Jugut, gjatë ditës pati edhe nevojë për intervenim.
“Gjendja momentale është e mirë, dëme kemi kryesisht në shkollën fillore në Zhabarë dhe tek disa mure të shtëpive, komisioni ka dal në teren dhe ka parë nga afër. Komuna e Mitrovicës ka marrë gjitha masat preventive”, ka thënë Bahtir Maxhuni-Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Në gjendje gadishmerie janë shprehur edhe nga komuna e Vushtrrisë, ku sipas zyrës për informim të kësaj komune, gjatë ditës nuk ka pas nevojë për ndërhyrje derisa shprehen se janë të gatshëm për çdo gjë.