Fabrika për prodhimin e ujit, ‘Spirit of Drini’, është proceduar në Prokurorinë Themelore në Pejë, pasi u denoncua publikisht se ka keqpërdorur ujin ilegalisht, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Gjatë ditës së djeshme, menaxhmeti i kompanisë ‘Hidrodrini’ në Pejë kanë njoftuar se pas një aksioni inspektorët kanë hasur në keqpërdorim të madh, ku si pasojë janë shkaktuar humbje të konsiderueshme të ujit të pijes në rajonin e Pejës.
“Në një aksion gjithëpërfshirës në tërë zonën e mbulueshmërisë, e me efekt mos keqpërodirmin e ujit, Inspektorët rajonal të KRU ‘Hidrodrini’, në kontroll dhe verifikim kanë hasur në një keqpërdorues të madh, konkretisht një Fabrikë për prodhimin e ujit, me lokacion në rajonin e komunës së Pejës.
Gjatë inspektimeve në perimetrin brenda hapësirave të fabrikës, janë gjetur e zbuluar dy lidhje ilegale, njëra Ø 100 dhe tjetra Ø 32.
Nga këto lidhje ilegale, është konstatuar të jenë shkaktuar humbje të konsiderueshme të ujit të pijes”, thuhet në njoftimin e ‘Hidrodrini’.

