Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se të dyshuarit që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, janë shpallur në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të INTERPOL-it.
“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, është shprehur Sveçla.
Ai ka shtuar se llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit të 24 shtatorit ku u vra polici Afrim Bunjaku, është e domosdoshme.
“Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”, ka shtuar ai.