Telenews

Edhe tri ditë – Kurti e ka çelësin për ta futur vendin në KiE

 

 

Edhe tri ditë kanë mbetur deri në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës ku Kosova pati pritje të larta se do të marrë përgjigje pozitive në kërkesën e saj për anëtarësim. Kushti i vendosur nga Franca e Gjermania që të ecet përpara me Asociacionin e që u refuzua nga Kryeministri Kurti bëri që gjasat të jenë të pakta që në mbledhjen e 17 majit të flitet edhe për Kosovën.

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të KiE do të mblidhen më 17 maj nga ora 09:30 deri në orën 13:00. Deri më tani Kosova vazhdon të mos jetë në agjendën e kësaj mbledhjeje.

“Nuk ka asgjë të re që mund të komunikojmë në këtë pikë”, ka thënë sërish sot për Gazetën Express shërbimi për shtyp i Këshillit të Europës.

Sidoqoftë, agjenda finale do të dihet më 17 maj kur mund të bëhen edhe ndryshimet e fundit.  Siç kishte deklaruar Presidenca e Lihtenshtajnit për Express rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat.

Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tregoi se agjenda mund të ndërrojë, por nëse i paraprin një “vendim i guximshëm” nga ana e Kosovës.

“Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është  arritja e 2/3 së shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Europës!”, kishte thënë Rohde.

Për këtë arsye, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se kryeministri Albin Kurti mund të marrë një vendim për ta dërguar draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese – kërkesa e Gjermanisë dhe Francës – edhe gjatë një mbledhje online të Qeverisë së Kosovës. Si bazë për këtë, ai tha se i merr veprimet e mëhershme të Kurtit në raport me kërkesat e ndërkombëtare, për të cilat tha se “në momentin e fundit ka pranuar, ka refuzuar, ka thënë jo dhe në fund ka pranuar në heshtje”.

“Ai mund ta thirrë një mbledhje online në 12 të natës a n’7 në sabah…deri të premten ka kohë. Mundet ta bëjë një veprim në moment të fundit e të thotë që “krejt po kërkojnë edhe opozita po kërkon edhe shoqëria po kërkon”. Opozita s’i ka kërkuar… Ai në Gjykatë Kushtetuese mundet ta dërgojë vetëm nëse e miraton në Qeveri”, ka thënë Haziri në Frontal të T7.

Megjithatë, nuk ka shenja që Kurti ka lëvizur nga qëndrimi i marrë mbi kushtin e vendosur për anëtarësim në KiE.

Pas një takimi që e pati mbrëmë me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, Kurti  u pyet nga gazetarët nëse do ta dërgojë në Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

“Nuk kam asgjë të re t’ju them në këtë aspekt për shkak se i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Tash besoj që fjalën nuk e kemi ne, por e ka Këshilli i Ministrave i cili mblidhet me 16 dhe 17 maj pra është çështje ditësh”, tha Kurti.

Vetë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, e telefonuan Kurtin për t’i kërkuar hapa urgjentë dhe konkretë drejt zbatimit të Asociacionit që në këmbim ta marrë mbështetjen për të përfunduar suksesshëm procesin e nisur për anëtarësim.

Pas disa ditësh, Kurti njoftoi për vendimin e tij në një mbledhje të Qeverisë se nuk e pranon kushtin.

“Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Miroslav Lajcak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor. Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg. Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”.

Dje nga kabineti i Kryeministrit, këshillitari Jeton Zulfaj, iu kërkua ndihmë Tiranës që të bindë shtetet kyçe Gjermaninë, Francën e Italinë që të ndihmojë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Ai tha se është interes i Kosovës dhe Shqipërisë që të afirmohet shtetësia e Kosovës dhe se ngërçi në raportet mes Kryeministrave Kurti e Rama s’mund të pengojë kur është në pyetje afirmimi i shtetësisë e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

source

Të ngajshme

Gjyqtari shprehu gatishmëri që t’ia fshihte ekspertizën kompanisë së sigurimeve –

KushtrimGuraj

Familja e Adem Ademit pas identifikimit: Babai ynë do të prehet në paqe me dinjitetin që i takon –

KushtrimGuraj

Një muaj paraburgim për turkun që sulmoi policin me tastierë kompjuteri brenda stacionit policor në Prishtinë –

KushtrimGuraj